Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, sqaroi arsyet kryesore se përse PD nuk mbështeti ndryshimet e Kodit Zgjedhor, miratuar pa konsensus në 5 tetor nga Kuvendi i Shqipërisë i cili ndaloi koalicionet klasike parazgjedhore dhe hapjen 100% të listave.
Bylykbashi në një intervistë në emisionin “Me pak fjalë” në Euronews Albania tha se ndarja kryesore me shumicën socialiste ishte formula e koalicioneve.
“Çështja kryesore e përplasjes mes opozitës dhe shumicës ishte çështja e koalicioneve, pra model i koalicionit siç ishte më para apo futja e këtij modeli që në fakt Shqipëria e hoqi me konsensus në 2003. Pse? Sepse nuk funksiononte dhe ishte problematik”-deklaroi Bylykbashi.
Bylykbashi po ashtu theksoi se PD kishte dhe probleme parimore me vendimet e shumicës socialiste.
“Problemi kryesor është ndryshimi i rregullave të procesit zgjedhor. U ndryshuan rregullat kur loja kishte filluar.
Ndryshimet, sidomos ato të djeshmet, kanë prekur marrëveshjen e 5 qershorit dhe prishja e rregullave që miratuam më 5 qershor është problemi kryesor”-tha ai.