Donald Trump do të vazhdojë të marrë ilaçe për të luftuar COVID-19 edhe pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë. Mbrëmjen e kaluar ai la spitalin, pasi kishte kaluar tre netë atje.
Ditën e premte presidenti kishte nevojë për oksigjen dhe mjekët thonë do të jenë gati në rast se i duhet përsëri.
Po të Premten, Trump filloi trajtimin me remdesivir – një ilaç antiviral i cili përdoret për trajtimin e Ebolas.
Ai kishte marrë dozën e tij të katërt të hënën në mbrëmje në spitalin ëalter Reed dhe do të marrë dozën e pestë dhe të fundit në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Daily Mail.
Të Premten ai gjithashtu mori një dozë të vetme prej tetë gramësh regeneron, një antitrup i krijuar në laborator për të luftuar virusin. Përveç këtyre, presidenti merr zink, vitaminë D, famotidinë, melatonin dhe aspirinë, siç thonë mjekët e tij. Përveç këtyre ai po mjekohet me një kurë me steroide që zakonisht nuk jepet kur pacienti po kalon simptoma të lehta ose të moderuara të COVID-19.
Mjekët mbrojtën vendimin për ta lënë presidentin të dalë nga spitali, duke thënë se ai ka disa nga kujdeset më të mira në botë në Shtëpinë e Bardhë.
“Çdo ditë që një pacient qëndron në spital pa e patur të nevojshme është një rrezik për veten e tyre. Këtu nuk po bëhet asgjë që nuk mund të bëhet në mënyrë të sigurt në shtëpi”, tha mjeku i presidentit, Dr Sean Conley.
Ai shtoi: “Nëse e kalojmë të hënën me të njëjtat ritme përmirësimi, do të hedhim hapin e fundit dhe do të marrim frymë të çliruar”.
Dr. Conley nuk pranoi të jepte shpjegime kur u pyet ndër të tjera për gjendjen e mushkërive të presidentit. Mjeku tha se nuk mund të ofronte informacione të tilla si rezultat i rregullave për privatësinë e pacientit.