Vendosni fjalën kyçe....

E emëroi dhe pse ishte arrestuar për drogë, ministri i Drejtësisë në Kosovë shkarkon Këshilltarin nga detyra


Ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Selim Selimi ka shkarkuar nga detyra këshilltarin e tij Enis Qerka.

“Sot në mëngjes pas raportimit të mediave, kam liruar nga detyra Enis Qerkën”, ka shkruar ministri në Facebook.

Enis Qerka ishte emëruar së fundmi si këshilltar i jashtëm i ministrit Selimi por kjo nuk ishte bërë e ditur publikisht si në rastet e tjera.

Lajmi për emërimin e tij u publikua sot në gazetën Koha Ditore.

Enis Qerka ka qenë arrestuar në vitin 2018 së bashku me një grup nën dyshimin se është kapur me 113 kilogramë narkotike e dyshuar si heroinë.

Enis Qerka

Në atë kohë, mediat patën raportuar se Enis Qerka punonte si shofer në Byronë Kosovare të Sigurimeve, të udhëhequr nga Gani Thaçi, vëllai i presidentit Thaçi.

Edhe pse gjykata fillimisht kishte vendosur për një muaj paraburgim, Qerka dhe dy të tjerë u liruan pas një jave nga Apeli, me urdhrin për t’u paraqitur në stacion të policisë.

Gazeta Koha Ditore shkruan se ka pyetur ministrin e Drejtësisë, Selimi, se si e ka angazhuar për këshilltar një person të arrestuar me dyshimin për kontrabandim të 113 kilogramëve drogë, dhe në përgjigjet e dërguara nga kabineti i tij është thënë se “vendimi për z. Qerka si këshilltar i jashtëm është marrë pasi që ndaj tij kanë pushuar hetimet”. Por pas zhurmës që shkaktoi ky vendim i tij, Selimi duket se është tërhequr duke e shkarkuar këshilltarin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *