Vendosni fjalën kyçe....

Komisioneri Varhelyi: Shqipëria ka bërë përparime, afër pjesëmarrjes në konferencën ndërqeveritare


Komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi, ka deklaruar sot në prezantimin e raportit për Shqipërinë se Tirana zyrtare është pranë plotësimit të kushteve për konferencën e parë ndërqeveritare.

Ai i bëri deklaratat ndërsa paraqiti planin e investimeve të BE-së në Ballkanin Perëndimor si dhe paketën e zgjerimit.

Ndër të tjera, komisioneri theksoi se autoritetet shqiptare kanë bërë përparim në zbatimin e reformës në drejtësi e luftën kundër krimit të organizuar.

Ai bëri thirrje që në Shqipëri të vijojnë reformat edhe gjatë periudhës zgjedhore.

“Shqipëria ka ndjekur me këmbëngulje rrugën e reformave dhe autoritetet shqiptare po tregojnë se janë të përkushtuara në realizimin e tyre. Shqipëria ka bërë përparim dhe është shumë afër plotësimit të kushteve për të qenë pjesë e konferencës së parë ndërqeveritare. Është shënuar përparim me reformën zgjedhore. Po vijohet me zbatimin e reformës në drejtësi e luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria gjithashtu duhet të vijojë me reformat e saj edhe në periudhën para zgjedhore.” – tha ndër të tjera, Varhelyi.

Konferenca e Parë Ndërqeveritare përcakton fillimin në praktikë të negociatave Shqipëri-BE. Ajo mund të mbahet në dhjetor 2020 megjithatë një datë nuk është përcaktuar ende. Ajo do mbahet mes Brukselit dhe Shkupit e Tiranës zyrtare me Maqedoninë e Veriut që është më përpara me plotësimin e kushteve krahasuar me Shqipërinë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *