Vendosni fjalën kyçe....

OBSH: Një në 10 njerëz në të gjithë botën mund të ketë koronavirus



Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një në 10 njerëz në të gjithë botën mund të jetë prekur nga Covid-19.
Kjo deklaratë u bë në një takim të veçantë të drejtuesve të OBSH-së. Sipas BBC-së, një zyrtar i lartë tha se kjo nënkuptonte se “shumica dërrmuese e botës mbetet në rrezik”.

Deri më tani pak më shumë se 35 milion njerëz janë konfirmuar se janë infektuar me koronavirus. Por sipas vlerësimit të OBSH-së, kjo e vë shifrën e vërtetë në afro 800 milion.

Ekspertët kanë thënë prej kohësh se numri real i rasteve do t’i tejkalojë ato të konfirmuara.

Drejtuesit e OBSH-së janë mbledhur në Gjenevë, Zvicër, për të diskutuar mbi përgjigjen globale ndaj pandemisë.

Edhe pse kanë kaluar dhjetë muaj, kriza ende nuk po tregon asnjë shenjë fundi. Disa vende po përballen me valë të dyta të rritjes së rasteve, pas zbutjes së kufizimeve dhe në disa raste numrat janë edhe më të lartë.

  • Zhvillimet e fundit:
    -Presidenti amerikan Donald Trump e kaloi fundjavën në spital pasi doli pozitiv për koronavirusin. Mjekët që e mjekojnë atë sugjeruan që ai të dilte të hënën nga spitali. SHBA-ja ka regjistruar më shumë raste dhe vdekje se kudo tjetër në botë.
    -Baret po mbyllen në kryeqytetin francez Paris nga e marta, në përpjekje për të luftuar një rritje në rastet e koronavirusit.
    -Irani të hënën njoftoi 235 viktima të reja nga sëmundja dhe 3,902 raste të reja, të dy shifra rekord. Gjatë fundjavës autoritetet urdhëruan mbylljen e shkollave, universiteteve, bibliotekave, xhamive dhe institucioneve të tjera publike në kryeqytet dhe zonën përreth tij.
    -Kryeqyteti spanjoll Madridi është vendosur nën një tjetër bllokim, me qytetarët që u ndalohen udhëtimet jo-të nevojshme.
    -Aeroporti Changi i Singaporit, rregullisht i votuar si më i miri në botë, paralajmëroi për një të ardhme “të frikshme” për udhëtimet ajrore me fluturimet në nivelin më të ulët në histori.

Vlerësimi që 10% e popullsisë së botës ka marrë virusin erdhi nga Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së.

“Kjo ndryshon në varësi të vendit, ndryshon nga qyteti në fshat, ndryshon midis grupeve të ndryshme”– tha ai. “Por do të thotë se shumica dërrmuese e botës mbetet në rrezik. Ne e dimë që pandemia do të vazhdojë të evoluojë por ne gjithashtu e dimë se ne kemi mjetet për të frenuar transmetimin dhe për të shpëtuar jetë tani dhe ato janë në dispozicionin tonë”.

Duke bërë thirrje për solidaritet nga vendet, drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se kishte pasur dallime të dukshme në numrin e rasteve në të gjithë botën.

“Megjithëse të gjitha vendet janë prekur nga ky virus, duhet të kujtojmë se kjo është një pandemi e pabarabartë. Dhjetë vende zënë 70% të të gjitha rasteve dhe vdekjeve të raportuara dhe vetëm tre vende zënë gjysmën”.- tha ai.

Më shumë se një milion njerëz kanë vdekur nga virusi, sipas një rezultati nga Universiteti Johns Hopkins. Pas SHBA-ve, India dhe Brazili kanë patur më së shumti raste të të infektuarve.

VINI RE: Ky artikull është pronëintelektuale e BBC-së/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *