Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar për votimin e djeshëm në Kuvend për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Meta shprehet se marrëveshja e 5 qershorit u shkatërrua brutalisht, ndërsa e konsideron kërë një moment historik për “rrëzimin e murit kriminal të Rilindjes”.
Ai paralajmëron se ky mur do të shembet nga 3 milion shqiptarë në zgjedhjet e 25 Prillit.
“Shkatërrimi brutal i Marrëveshjes së 5 Qershorit ishte vetëdemaskimi i “Rilindjes” si përfaqësuese e pakicës së pakicës apo thjesht oligarkisë dhe bandave.
Populli shqiptar do të jetë në lartësinë që e kërkon ky moment historik për rrëzimin e murit kriminal të “Rilindjes” që është vendosur nga dje në rrugën e integrimit europian.
Ky mur do shembet nga tre milion shqiptarë në 25 Prill, por edhe më parë nëse është e domosdoshme.
Shqipëria e Para! Shqipëria si gjithë Europa!”- shkruan Meta.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë marrë votat e 97 deputetëve edhe pse për të kaluar duheshin vetëm 84 vota.
Sipas ndryshimeve të miratuara, pragu i hyrjes në Kuvend është ulur në 1%, kërkesë kjo e bërë nga opozita parlamentare.
Kreu i një partie do ketë të drejtën të garojë në 4 zona elektorale ndërsa për të kaluar pragun e listës, kandidatëve u është vendosur pragu prej 10 mijë votash.
Koalicionet do jenë me listë të përbashkët duke u hequr koalicionet e përbëra që u kërkuan me ngulm nga opozita jashtëparlamentare.
Ndërkohë lista e kandidatëve do bëhet nga kryetari i partisë e një kandidat mund ta prishë atë vetëm nëse merr më shumë vota se mesatarja që ka marrë partia në fjalë për të fituar një mandat deputeti në një qark të caktuar. Një formë kjo jo klasike e listave 100% të hapura ku votuesit votojnë direkt për kandidatin.