Një grua dhe një burrë janë arrestuar këtë mëngjes në Krujë gjatë operacionit antikanabis që po kryhet në të gjithë vendin.
Policia thotë se ka sekuestruar rreth 17 kg lëndë narkotike kanabis sativa dhe një sasi heroinë.
Të arrestuarit janë nga fshatrat Luz dhe Tapizë në Fushë-Krujë.
NJOFTIMI I POLICISË
Vijon kontrolli masiv i territorit, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Goditen dy raste në rrethin e Krujës.
Sekuestrohen rreth 17 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi heroinë.
Vihen në pranga 2 shtetas, posedues të lëndës narkotike.
Shërbimet e Policisë Krujë, në zbatim të planit të masave për ushtrimin e kontrolleve në territore, banesa dhe ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative kanë evidentuan dhe goditur 2 raste.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të veprimeve arrestuan në flagrancë shtetasit:
B. Z., 37 vjeç, banues në fshatin Luz, Fushë Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës rreth 14 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe disa bimë narkotike cannabis sativa.
V. U., 36 vjeçe, banuese në Tapizë, Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 15 gr. fara bime narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe 435 gr. lëndë narkotike e dyshuar heroinë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.