Irani ka paralajmëruar hapur për “luftë rajonale” pas përplasjeve të dhunshme në Nagorni-Karabak.
Republika islamike thotë se rinisja e luftimeve në mes dy fqinjëve, Azerbajxhanit dhe Armenisë mund të përshkallëzohet në një luftë më të gjerë. “Ne shpresojmë në një rikthim të shpejtë të stabilitetit në rajon”, u shpreh presidenti Hasan Rohani, por situata deri tani paraqitet mjaft shqetësuese.
Përleshjet shpërthyen për zonën e shumë diskutuar të Nagorni-Karabakut, zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit, por e drejtuar nga popullsi etnike armene. Luftimet e fundit konsiderohen më të ashprat në dekada, ndërkohë që të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për dhunën.
“Ne duhet të jemi të vëmendshëm që lufta në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit të mos shndërrohet në luftë rajonale”, nënvizoi Rohani. Por “është plotësisht e papranueshme” që ndonjë predhë apo raketë të arrijë në tokën iraniane”, shtoi ai.
Komentet e presidentit Iranian erdhën pas raportimeve se disa predha kanë rënë në fshatra iranianë të ndodhur pranë kufirit që ndan më Armeninë dhe Azerbajxhanin. Komandanti iranian për Mbrojtjen Kufitare, Qasem Rezaei sqaroi se forcat e tij kanë krijuar tashmë “formacione të nevojshme” përgjatë zonës së luftimeve dhe po monitorojnë me kujdes kufirin.