Ashtu siç ishte paralajmëruar, Komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi, mbajti fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë. Ai mbërriti në vend paraditen e sotme për të dorëzuar raportin mbi Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, zyrtari i lartë europian tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë është në Bashkimin Europian.
Varhelyi tha se autoritetet shqiptare po tregojnë qëndrueshmëri në kryerjen e reformave ndërsa theksoi se reforma zgjedhor është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare.
“Paketa e investimeve e strukturuar në fusha kyçe. Ajo pritet të sjellë përfitime për Shqipërinë. Ne do iu qëndrojmë pranë. Ballkani Perëndimor përparësi për Komisionin Europian. E ardhmja e rajonit është në BE. Keni bërë progres, një nga këto është Këshilli Politik. Autoritet po tregojnë angazhimin për zbatimin e reformave. Ka vijuar zbatimi i reformës në drejtësi, vettingu ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme.
Janë hapur aplikimet për institucionet e reja të sistemit të drejtësisë. Kam mirëpritur marrëveshjen e 5 qershorit të palëve politike për reformën zgjedhor që është shumë e rëndësishme. Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare. Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave. Institucionet duhet të punojnë me njëri-tjetrin për të ecur përpara. Shqipëria është shumë pranë çeljes së negociatave dhe për për këtë duhet ndihma e të gjithëve.” – tha ndër të tjera Komisioneri Varhelyi.