Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu: Realizohet për herë të parë implanti koklear falas për fëmijët


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thotë se në vendin tonë është realizuar për herë të parë implanti koklear falas për fëmijët që nuk dëgjojnë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manastirliu shprehet se ndërhyrjet e rralla janë realizuar tek 5 fëmijë nga mosha 2-7 vjeç në shërbimin e Otorino-Laringologjisë në QSUT apo që njihet ndryshe edhe si Spitali Francez.

“Një lajm fantastik për fëmijët me nevoja të veçanta. Realizohet për herë të parë me sukses implanti koklear për fëmijët që nuk dëgjojnë, në strukturat publike, FALAS, me financim 100% nga shteti.

Në QSUT, me ekipin e mjekëve që realizuan ndërhyrjet delikate tek 5 fëmijë të vegjël, të cilëve do t’u kthehet dëgjimi dhe do të integrohen plotësisht në jetën shoqërore.”- shkruan Manastirliu.

Në videon që shoqëron postimin e saj, ministrja thotë se “kjo është realizuar falë ekspertizës së mjekëve por edhe mbështetjes së qeverisë për sigurimin e financimit për paketën falas të implantit koklear.”

Ndërkohë, një prej mjekeve që kanë kryer ndërhyrjet, prof. Suela Sallavaci, tha: “Kjo është një rrugë e gjatë por kemi bërë hapin më të rëndësishëm për këta fëmijë”.

20 fëmijë me nevoja të veçanta, që kanë lindur me probleme me dëgjimin, do të përfitojnë në vit nga kjo ndërhyrje dhe aparatin e posaçëm që i rikthen dëgjimin, sipas ministres.

“Ndërhyrja dhe aparatura e kushtueshme do të rimbursohet nga shteti çdo vit.“- shkruan Manastirliu.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *