Shpërthimi i një bombe të vendosur në një makinë ka lënë 15 viktima në Afganistan. Më shumë se 50 persona u plagosën në shpërthimin që ndodhi në provincën lindore, Nangarhar.
Ndërtesa administrative e vendosur në rrethin Ghani Khel u godit nga një bombë që ishte vendosur në një mjet.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se ndërtesa u shemb përtokë dhe la një krater të madh ndërsa mjete të shumta u dëmtuan gjatë shpërthimit.
Deri tani asnjë grup s’e ka marrë përsipër sulmin. Ai vjen ndërsa të dërguarit e qeverisë afgane dhe grupit militant taliban vazhdojnë bisedimet e tyre në kryeqytetin e Katarit, Doha, pas javësh negociatash të vështira mbi shkëmbimet e të burgosurve.
Bisedimet mbeten në faza ende të hershme dhe deri më tani nuk kanë çuar në ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse të armëpushimit.