Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ditën e sotme ka zhvilluar takime me biznese dhe qytetarë të Kurbinit, për të dëgjuar problematikat e tyre dhe për të ndarë me ta planin e Rimëkëmbjes.
Pasi dëgjoi hallet e qytetarëve, Basha tha se deri në 25 prill çelësat i ka Edi Rama dhe se ai sot ka në dorë vetëm fjalën, ndërsa kur të vijë në pushtet do të marrë vendime të rëndësishme. Gjatë takimit, kreu demokrat e akuzoi kryeministrin se po e çon vendin në greminë sepse sipas tij u jep lekë oligarkëve.
“Ky po e shtyn ekonominë në greminës. Pritet që edhe 40% e shqiptarëve ti shtohen të varfërve. Pse, sepse paratë shkojnë për oligarkët. Këtë do ta zgjidhim së bashku me votë. Rama vazhdon t’i japë paratë oligarkëve. Ne duam që lekët tuaja të vijnë tek ju.
Pas 25 prillit kemi zgjidhje të tjera. Deri në 25 prill çelësat i ka ky, duam apo nuk duam. Ne kemi vetëm fjalët dhe propozojmë zgjidhje.
Është kriminale që ju t’ju lenë pa bukë dhe përditë japin miliona euro për oligarkët. Ne sot kemi vetëm fjalën, por ju siguroj se nesër do të bëjmë më shumë.
Në planin tonë kemi propozuar 160 mijë lekë për 6 muajt e ardhshme. Ta hapin qesen edhe për qytetarët, jo vetëm për oligarkët. Është një ndihmë minimale që nuk të zgjidh situatën por ju vjen në ndihmë. Është diçka e mundur që realizohet nga shteti. Ky plan është i zbatueshëm nëse ka vullnet politike. Sot kemi fjalën, nesër do marrim vendim të rëndësishme”, tha Basha.