Partia Demokratike ka denoncuar kryeministrin Rama se ka angazhuar drejtorët e shkollave në vend që të marrin të dhënat personale të prindërve të nxënësve me qëllim përdorimin e tyre në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti Boçi, tha se përveç denoncime të fundit me prova rreth përpjekjes së Partisë Socialiste për të deformuar votën e qytetarëve me anë të makinacioneve në Gjendjen Civile, së fundmi në lojë janë futur edhe drejtorët e shkollave.
Demokrati shtoi se këta të fundit janë urdhëruar të marrin të dhënat personale nga prindërit e nxënësve me justifikimin e teksteve mësimore.
“Drejtorët e shkollave janë urdhëruar të marrin të dhënat personale nga prindërit e nxënësve. Prindërve u është kërkuar në grupet e Whatsapp -it që të dërgojnë foto të kartave të identitetit, me justifikimin e teksteve mësimore. Ky është një keqpërdorim skandaloz që u bëhet shkollave, është një politizim i dëmshëm i qendrave të dijes, të cilat po kthehen në organizata partie.” – tha Boçi, nga shkolla ‘Onufri’ në Elbasan.
Ai theksoi në fund se drejtori i shkollës do çohet për ndjekje penale duke parlajmëruar një gjë të ngjashme për të gjithë ata që do bëjnë të njëjtën gjë.