I dërguari i presidentit amerikan për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, thotë se Donald Trump, do të angazhohet edhe për normalizim të raporteve politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo pasi raportet ekonomike mes dy palëve të jenë normalizuar.
Diplomati amerikan e bëri këtë deklaratë kur diskutonte rreth Marrëveshjes së ëashington, të nënshkruar rishtas nga Kosova dhe Serbia, si i ftuar i Konferencës së Liderëve Amerikano-Serbë (SALC).
Në fjalimin e tij, Grenel tha se qasja e administratës Trump ishte që “së pari të krijonte kushte për përparimin ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe pastaj të merrej me çështje politike”.
Ai shtoi: “Nëse shikoni me kujdes, Zoti ynë Jezu Krishti zgjidhi së pari problemet thelbësore të njerëzve që takoi, i ushqeu, i shëroi, para se t’i mësonte t’i kthente nga vetja”
Siç shkruan portali serb Kurir, Grenell theksoi edhe nevojën e ndërtimit të besimit mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Unë i kam thënë presidentit Vuçiç, na besoni dhe na jepni një mundësi, pasi kemi qasje të ndryshme nga ata që merren me këtë çështje prej 30 vitesh, e nuk mundën t’a zgjidhin”– tha Grenell, citon Kurir.
Grenell tha se përmes marrëveshjes së ëashington dhe hapjes së zyrës së DFC në Beograd, Washington po i zgjat dorën jo vetëm akterëve politik, por edhe sektorit privat serb, që do të mund të ndihmonte në ndërtimin e marrëdhënieve mes Amerikës dhe Serbisë në të ardhmen.