Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder ka thënë se do padisë gazetën e njohur gjermane, Bild, pasi ajo publikoi një intervistë me liderin e opozitës ruse, Alexey Navalny, ku ai u etiketua si ‘djali i porosisë së Putinit’.
Duke postuar në faqen e tij në LinkedIn, Schröder shpjegoi se ai do ta çonte Bild-in në gjykatë pasi Navalny pretendoi se ai merrte ‘pagesa të fshehta’ nga presidenti rus Putin, pa paraqitur asnjë provë. Aktivisti rus pranoi se nuk ka prova konkrete, por tha se është i bindur për këtë.
Duke qarkulluar thashetheme të paprovuara, ish-kancelari beson se Bild shkeli të drejtat e tij dhe për këtë arsye ndihet ‘i detyruar të ndërmarrë veprime ligjore kundër botuesit’.
Në intervistën me tabloidin e famshëm, Navalny gjithashtu e akuzoi Schröderin për ‘mbrojtjen e vrasësve’, duke i quajtur veprimet e ish-kancelarit ‘poshtëruese për popullin gjerman’.
Schröder ka kohë që ka lidhje të ngushta me Rusinë, përfshirë disa biznese. Pasi u largua si Kancelar gjerman në vitin 2005, ai u bë kryetar i bordit në Nord Stream AG, pjesërisht në pronësi të kompanisë shtetërore ruse të gazit natyror, Gazprom.
Që nga viti 2017, Schröder ka shërbyer gjithashtu si kryetar i kompanisë ruse të energjisë Rosneft. Ai është gjithashtu babai i dy fëmijëve të birësuar nga jetimoret ruse në vitet 2000.