Vendosni fjalën kyçe....

Meta mesazh socialistëve: Rama po e përdor PS-në, nëse bën publik emrin e kriminelit që kam takuar jap dorëheqjen, e ftoj në debat publik


Presidenti i Republikës, Ilir Meta në ditën e sotme kur mblidhet edhe Asambleja e Partisë Socialiste ka një mesazh drejtuar socialistëve.

Në mesazhin drejtuar socialistëve Meta shigjeton Ramën duke e quajtur si shkatërruesin e PS-së dhe personin që largoi nga aty, profesorë dhe intelektualët.

Meta i është drejtuar edhe me një mesazh direkt Ramës ku i ka kërkuar të publikojë emrin e personit subjekt të OFL-së për të cilin kryeministri akuzoi se takohet Presidenti.

Mëta i bëri thirrje Ramës që nëse nuk publikon emrin do merret përditë me të madje i kërkon edhe përballjen në një debat publik.

Mesazhi i plotë:

MESAZH DREJTUAR ASAMBLESË SË PARTISË SOCIALISTE

Të dashur shoqe dhe shokë socialistë,

Po ju drejtohem si një prej ish-themeluesve dhe ish-anëtarëve të parë të Partisë Socialiste, që ndihet krenar për kontributin e dhënë, jo vetëm për modernizimin e kësaj force politike, anëtarësimin e saj në Internacionalen Socialiste, por edhe për arritjet e sukseset saj në vite, veçanërisht për miratimin me Referendum të Kushtetutës në vitin 1998.

Unë hyra në Partinë Socialiste, atëhere kur nuk shkonte asnjë i ri dhe kur Edi Rama hidhte baltë të zezë mbi socialistët dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Është ky individ, të cilin PS e mori nga refugjat dhe e bëri ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër, i cili sot ka marrë peng këtë parti dhe po e keqpërdor stemën e PS-së për të bllokuar integrimin e Shqipërisë.

Ju e dini shumë më mirë se unë, se si ky njeri i papërgjegjshëm, përjashtoi nga kjo parti profesorët dhe intelektualët më të spikatur të vendit, për t’i zëvendësuar ata me trafikantë dhe kriminelë, të cilët ju skuqin sot nga turpi.

Ky njeri pa Atdhe, pa nder, pa vlera më akuzon sot se kam takuar skutave subjekte të OFL-së.

I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen.

Përndryshe, nëse nuk e bën këtë gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, jam i detyruar të merrem çdo ditë me të dhe t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare, dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzemë së bashku edhe nga Partia Socialiste.

Çdo ditë do e ftoj në debat televiziv, në çdo studio që do zgjedhë ai, dhe me çdo gazetar që preferon ai

Në pritje të reflektimit!

Të dashur shoqe dhe shokë socialistë,

Ju uroj suksese në punimet e sotme të Asamblesë së PS.

I juaji si gjithmonë,

Me korrektesë dhe mbajtje fjale

ILIR META

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *