Një raport nga Komiteti i Mbrojtjes i parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, thotë se teknologjia Huawei paraqet një rrezik për Britaninë dhe qytetarët e saj. Kompania ka argumentuar se raporti nuk ishte i bazuar në fakte.
Raporti i ri, i titulluar ‘Siguria e 5G’, botuar të enjten, tha se Huawei ishte ‘qartë i lidhur fort me shtetin kinez dhe Partinë Komuniste Kineze, pavarësisht deklaratave të tij për të kundërtën’. Dokumenti bazoi provat e tij në modelin e pronësisë së kompanisë dhe subvencionet që ka marrë.
“Kërkimi ynë zbuloi se ka prova të qarta të bashkëpunimit midis Huawei-t dhe shtetit kinez.” – shkruajnë anëtarët e parlamentit, në mbështetje të vendimit të tyre për të hequr pajisjet e kompanisë nga rrjetet e Mbretërisë së Bashkuar.
“Prania e Huawei-t në rrjetet 5G të Mbretërisë së Bashkuar përbën një rrezik të konsiderueshëm të sigurisë për individët dhe qeverinë tonë.” – theksuan ata.
Ligjvënësit argumentuan më tej se përcaktimi i Huawei-t si një shitës me rrezik të lartë nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar në janar ishte i justifikuar.
Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes, Tobias Ellwood, tha se siguria kombëtare duhet të jetë përparësia kryesore e qeverisë.
“Perëndimi duhet të bashkohet urgjentisht për të bërë një kundërpeshë ndaj mbizotërimit të teknologjisë së Kinës. Ne nuk duhet të dorëzojmë sigurinë tonë kombëtare për hir të zhvillimit teknologjik afatshkurtër. Ky është një shkëmbim i rremë dhe plotësisht i panevojshëm.”
Huawei i ka hedhur poshtë akuzat si të rreme.
Raporti vjen teksa SHBA-ja ka rritur përpjekjet e saj për të bindur aleatët e saj kryesorë në Evropë, si Mbretërinë e Bashkuar e Gjermaninë për të përjashtuar Huawei-n nga zhvillimi i rrjeteve të tyre 5G.
Uashingtoni ka këmbëngulur se kjo është e nevojshme për të parandaluar mbikëqyrjen dhe spiunazhin nga Pekini. Kina nga ana e saj, ka mohuar në mënyrë të përsëritur përdorimin e Huaëei-t me qëllim spiunazhi dhe mbikëqyrjeje.