Pas reagimit të kryeministrit Rama në drejtim të presidentit ka ardhur reagimi i këtij të fundit. Ai shkruan se nuk bën asnjëherë aktrime me historinë e kombit dhe familjes.
Meta thekson se shtëpia ku ka lindur ka shërbyer si spital partizan për jugun e vendit e aty janë mjekuar dhjetëra partizanë.
“O shakaxhinjtë e integrimit! Unë nuk bëj aktrime me historinë e kombit tim dhe familjes time!
As politikë për vota o palaço dhe të pa Atdhe! Unë kam lindur në Çepan, 1000 metra mbi nivelin e detit dhe u jam shumë mirënjohës prindërve të mi. O ordinerë, shtëpia ku linda unë në 24 mars 1969 ishte spital partizan për Jugun e Shqipërisë. Në këtë shtëpi erdhën dhjetëra partizanë, pa këmbë e pa krahë. Në themelet e kësaj shtëpie edhe sot është gjaku i tyre.” – shkruan Meta.
Në fund kreu i shtetit shkruan se ka qenë ndër udhëheqësit e lëvizjes studentore por kurrë s’ka vënë në diskutim gjakun e partizanëve duke premtuar se do jetë përballë Ramës përherë.
“Unë isha ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore, por kurrë nuk e vura në diskutim gjakun e tyre.
Se gjaku nuk bëhet ujë o hajdutë ordinerë! Jam Ilir Meta dhe përballë do më keni gjithmonë!” – mbyll Meta.