Paraditen e sotme, ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë publike tre skenarë për përballimin e shtimit të rasteve me koronavirus.
Manastirliu tha se nëse situata përkeqësohet gjatë sezonit të dimrit, qeveria ka gati 3 skenarët e hapjes së spitaleve rajonale nëse plotësohet kuota e 550 shtretërve që kanë 4 spitalet dedikuar COVID-it në Tiranë.
“Ashtu sikurse ju thashë, të tre skenarët parashikojnë përfshirjen e spitaleve rajonale në momentin që do të plotësohen kapacitetet e 550 shtretërve të dedikuar në 4 strukturat tona spitalore.
Në skenarin e parë do të kemi përfshirjen e 5 spitaleve rajonale, ku shtohemi me rreth 600 shtretër.
Në skenarin e dytë përfshirjen e 3 spitaleve të tjera rajonale ku shtohemi me rreth 240 shtretër dhe në skenarin e tretë përfshirjen e tre spitaleve rajonale dhe shtohemi me 148 shtretër.
Që do të thotë në total ne do të kemi në dispozicion të situatës Covid rreth 1600 shtretër të pajisur me të gjithë ato elementë të nevojshëm, terapi oksigjeni, pajisje të cilat janë të nevojshme për të trajtuar rastet Covid. “- deklaroi Manastirliu.
Paraditen e sotme, kryeministri Edi Rama dhe ministrja Manastirliu njoftuan se duke nisur që nga e enjtja, përdorimi i maskave të fytyrës do të jetë i detyrueshëm jo vetëm në ambientet brenda por edhe në rrugë, parqe e kudo tjetër.