Vendosni fjalën kyçe....

Teliti publikon videon me dëshmitë e fermerëve: E vërteta e bujqësisë shqiptare


Drejtori i Kabinetit të kreut të PD-së, Dorjan Teliti ka publikuar videon me dëshmi nga fermerë shqiptarë për të treguar gjendjen e bujqësisë në vendin tonë.

Video me dëshmi vjen pasi mes PD-së dhe mazhorancës këto ditë ka pasur një përplasje me investimet në bujqësi.

Në video, fermerët tregojnë se produktet e tyre nuk shiten ose shiten me çmim të lirë dhe nuk mund të konkurojnë me produktet e fqinjëve.

Të braktisur, të pashpresë, të falimentuar, kjo është e vërteta e fermerit shqiptar.

Ky është fakti që nuk e mbulojnë dot montazhet dhe regjia qendrore e propagandës së Ramës.

Më kot mundohet të gënjejë shqiptarët që në vitin e 7 të fatkeqësisë së keqqeverisjes e kanë të qartë se përgjegjësit e krizës janë ata që nuk mbajtën asnjë premtim.

Propaganda e Rilindjes nuk pin më ujë, produktet e tokës tonë nuk shiten dot pasi përballen me konkurencën e produkteve të importuara nga vendet e rajonit, që i subvencionojnë ato me dhjetëra herë më shumë sesa ato dy qindarka që jep qeveria shqiptare”-shkruan Teliti.

Ndërsa më parë Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi publikonte shifrat se si nën qeverisjen Rama, fermerët shqiptarë kanë marrë disa fish më shumë investime se nën qeverisjen e PD-së.

“Kryetari i Partisë Demokratike nuk zhgënjeu as kësaj radhe gjatë vizitës së tij në Lushnje, ku kishte marrë përsipër të fliste për bujqësinë. Mirë që është i paaftë për të kuptuar rolin e pikave të grumbullimit në qarkullimin e produkteve bujqësore, por zgjedh të shfaqet edhe me personazhe që i njeh gjithë Myzeqeja për problemet me ligjin me malin e borxheve që iu kanë fermerëve.

Në vitet 2008-2012 kur Luli ishte në qeveri, pati 0 investime në pika grumbullimi. Prej vitit 2013 e deri më sot që flasin, janë 123 përfitues me një shumë totale 20.8 milionë Euro. Koha provoi që mbështetja jonë për pikat e grumbullimit si hallkat kryesore mes fermereve dhe tregut ishte politika e duhur që dha rezultat. Është FAKT se vetëm në vitin 2019 janë eksportuar në sasi 334.7% më shumë fruta dhe perime nga Shqipëria, në krahasim me vitin 2012.

Eksportet janë 3.4-fishuar në raport me vitin 2012. Biznesi për të cilin Saimiri i ankohet Lulit, është një nga investimet më të mëdha në rajon, që ka përfituar nga programi IPARD aq sa e lejojnë rregullat e përcaktuar në Bruksel dhe vetë ka investuar rreth 7 herë më shumë së mbështetja që ka marrë. Biznesi i Saimirit ndërkohë deri dy vite më parë ishte nën sekuestro për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj fermerëve dhe të tretëve. Thjesht sepse ai ka zgjedhur të mos punojë, por të merret me politikë dhe për t’i ikur borxheve të pashlyera, sa hap njerën pikë grumbullimi mbyll tjetrën.

Lidhur me akuzat ndaj meje se medemek paskam përfituar disa milionë euro nga investimi në pikën e grumbullimit ku Saimiri punonte kohë më parë, do t’i japë mundësinë që t’i provojë në sallën e gjyqit. Luli ndërkohë, që na tregoi sërish se askush nuk ia hap derën por mezi gjen ndonjë personazh si Saimiri, përgjigjen do e marrë më 25 prill. Humbës recidivist edhe kësaj here”-shkruan Çuçi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *