Persona të panjohur nisën një breshëri fishekzjarresh ndaj një stacioni policie dhe sulmuan ndërtesën të shtunën në mbrëmje në Francë. Ministri i Brendshëm e lidhi incidentin me operacionet e policisë kundër trafikut të drogës.
Stacioni policor në Champigny-sur-Marne, një periferi e Parisit, u shënjestrua në një sulm të dhunshëm me ‘predha të ndryshme’, deklaroi policia e kryeqytetit francez, duke shtuar se asnjë oficer nuk u lëndua.
Një video e postuar në mediat sociale tregon një breshëri fishekzjarresh drejtuar ndërtesës.
Disa individë me kapuç me rroba të errëta shfaqen në një video tjetër, që thuhet se është filmuar në të njëjtin vend. Ata u panë duke lëshuar fishekzjarre, duke synuar drejtpërdrejt në stacionin e policisë.
Burime policore i thanë medias lokale se rreth 40 persona të armatosur me shufra hekuri u përpoqën të hynin në stacion, duke thyer derën e përparme të xhamit.
Sipas raporteve, dy oficerë që po pinin duhan jashtë ndërtesës arritën të vraponin shpejt brenda dhe të mbyllnin dyert kur ndodhi sulmi. Dy kosha plehrash u dogjën dhe pesë makina policie u dëmtuan, tha ‘Le Parisien’. Asnjë arrestim nuk është raportuar deri më tani.