Dy persona janë plagosur sot në Pejë afër fakultetit të Biznesit. Mediet në Kosovë shkruajnë se njëri nga të plagosur është familjar i kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt.
Sipas portalit Kallxo.com i cili raportoi i pari për ngjarjen, i plagosuri Mustafë Ahmetxhekaj është nip i familjes Haradinaj. Më saktë është nipi i Hilmi Haradinajt, babai i ndjerë i Ramush Haradinajt.
Ahmetxhekaj është plagosur me tre plumba në këmbë.
Ndërkohë gazeta Express ka publikuar disa pamje nga vendi i ngjarjes.
“Prokurorja e Krimeve të Rënda ka dalë ne vendin e ngjarjes pas të shënave me armë zjarri në Pejë. Janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet për kapjen e personit të dyshuar”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Sipas mjekëve të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 12:20, në afërsi të fakultetit të Biznesit në Pejë, janë plagosur dy persona, njëri nga ta kalimtar i rastit. Të dy janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njësitët kompetente po merrem me trajtimin e rastit, akoma nuk ka informacione për ndonjë të arrestuar”, ka deklaruar ai.