Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Vendi në kolaps, Rama e ka mendjen të paguajë miliona euro te koncesionet


Kreu i PD-së, Basha, ka thënë sot se vendi po përballet me një krizë tejet të rëndë në të gjitha drejtimet për shkak të mosreagimit të qeverisë ndaj pandemisë covid-19.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryedemokrati tha se kreu i qeverisë nuk e ka marrë parasysh planin me pesë pika të prezantuar nga opozita, siç ka bërë edhe me propozimet e tjera të opozitës që prej shfaqjes së pandemisë.

“Sot kemi marrë informacione se shumë persona po humbin vendet e punës për shkak të krizës, numri i bizneseve që po mbyllen është në rritje. Situata në sistemin shëndetësor është lënë në mëshirë të fatit po kështu si në shkolla. Qeveria dhe kryeministri nuk kanë marrë asnjë masë për të korrigjuar problemet e mëdha në shkolla e spitale. Kjo është gjendja sot. Përkeqësim i situatës në të gjitha fushat. Rama tha sot se nuk ka dëgjuar për planin prej pesë pikash të ofruar nga opozita. Rama ka javë, muaj, vite që Edi Rama nuk dëgjon. Nuk dëgjon prindërit që kanë humbur vendin e punës, nuk dëgjon mjekët për spitalet që janë në gradën e fundit për sa u përket trajtimit të të prekurve nga covid-19. Nuk dëgjon mësuesit.” – tha Basha.

Kreu i PD-së tha më tej se opozita do vijojë të përsërisë planin e saj me pesë pika për përballimin e krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi.

Basha tha se ndërsa qytetarët nuk marrin asnjë ndihmë nga qeveria, kryeministri Rama u jep miliona euro koncesioneve.

“2 milionë euro vetëm javën e shkuar. Lekët që u mbledh qytetarëve ua jep me lopatë oligarkëve dhe atyre më të cilët bashkëpunon, inceneratorëve. Qindra familje jetojnë në çadra, në kushte të mjerueshme pasi janë pa banesa për shkak të tërmetit. Po vjen 26 nëntori tjetër dhe qeveria nuk ka bërë asgjë për qytetarët. Veshët dhe sytë e Edi Ramës nuk i shohin këto. Ai sheh vetëm ata që u jep miliona euro koncesioneve. Megjithatë ne nuk do lodhemi së përsërituri planin me pesë pika për të kapërcyer krizën e thellë në të cilën ndodhet vendi.” – shtoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *