Presidenti Meta ka publikuar një video duke treguar se si e kishte detyruar kryeministrin Rama në vitin 2013 që të votonte tre ligje të rëndësishme.
Kreu i shtetit shkruan se pranoi të bënte koalicion me Ramën asokohe e më pas kërkoi votimin urgjent në Kuvend të Ligjit për Gjykatën e Lartë, atë të Nëpunësit Civil dhe të Reformës Parlamentare, tre ligje të BE-së që mbaheshin peng nga kryeministri Rama.
Ai thekson gjithashtu se pa respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit s’ka integrim në BE.
“Për të gjithë ata që më pyesin pse bëra koalicion me Partinë Socialiste në prill të vitit 2013, kam një kujtesë nga fjala ime e mbajtur në 5 maj 2013, Ditën e Shenjtë të Dëshmorëve, para familjarëve të tyre dhe veteranëve, ku kam bërë thirrje publike të votoheshin urgjent para zgjedhjeve parlamentare, Ligji për Gjykatën e Lartë, Ligji i Nëpunësit Civil dhe Reforma Parlamentare, tre kushte të Bashkimit Europian, që mbaheshin peng nga Kryemashtruesi i Sektit “Rilindje”. Në 30 maj 2013 isha po unë që e detyrova Kryemashtruesin e Sektit “Rilindje” t’i votonte në Kuvend:
Ligji për Gjykatën e Lartë me 108 vota pro
Ligji i Nëpunësit Civil me 107 vota pro
Reforma Parlamentare me 108 vota pro.
Tani është koha t’i lerë mashtrimet ordinere dhe të kuptojë njëherë e mirë se pa respektimin e Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit nuk ka çelje negociatash.
Për të tjerat, ju ftoj të gjithëve të më ndiqni sot live në Syri TV, në ora 20:45, në një intervistë me gazetarin Çim Peka, përballë edhe një paneli të nderuar analistësh.” – shkruan Meta.