Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, si kurrë më parë ka shpërthyer në lot gjatë një fjalimi para qytetarëve të vendit të tij.
Kim Jong Un organizoi një paradë të madhe ushtarake këtë fundjavë, me rastin e 75 vjetorit të themelimit të Partisë së Punëtorëve duke zbuluar atë që duket të jenë raketat balistike ndërkontinentale të fundit të vendit.
Siç shkruan “The Guardian”, teksa kërkonte ndjesë për dështimin e tij për të drejtuar vendin në një kohë të trazuar, Kim hoqi syzet dhe fshiu lotët.
“Njerëzit tanë kanë besuar tek unë, lart sa qielli dhe thellë si deti, por unë nuk kam arritur ta bëj këtë gjithnjë në mënyrë të kënaqshme”, ka thënë ai, sipas një përkthimi të komenteve të tij në Korea Times. “Më vjen shumë keq për këtë”.
Kim përmendi gjyshin dhe babanë e tij, dy udhëheqësit e mëparshëm të Koresë së Veriut: “Edhe pse mua më është besuar përgjegjësia e rëndësishme për të udhëhequr këtë vend duke mbështetur kauzën e të mëdhenjve Kim Il-sung dhe Kim Jong-il, falë besimit të të gjithë njerëzve, përpjekjet dhe sinqeriteti im nuk kanë qenë të mjaftueshme për të çliruar njerëzit tanë nga vështirësitë në jetën e tyre”.
Në të njëjtën paradë, Kim Jong Un tha se në vendin e tij nuk ka më asnjë rast me koronavirus.