Vendosni fjalën kyçe....

Pse Albana Vokshi rezulton deputetja më e mbështetur nga anëtarësia e PD-së


Partia Demokratike mbajti dy ditë më parë votimet në qarkun e Tiranës për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

Nga numërimi i votave ka rezultuar që ish-deputetja Albana Vokshi, është kandidatja më e preferuar nga të gjithë pasi ka marrë më pak vota kontestuese nga anëtarët e tjerë të njësisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga vetë Partia Demokratike, në votimet nga anëtarësia e Tiranës kanë marrë pjesë 14,127 anëtarë, ose 60 % e anëtarësisë.

Por pse Vokshi, është demokratja e preferuar në Tiranë?

Në këtë duket se ka ndikuar roli i saj si kryetare e Komisionit të Edukimit dhe Medias, mbrojtja e vazhdueshme që i ka bërë mediave lidhur me Paketën Antishpifje apo në sulmet që politikanë të ndryshëm u kanë bërë gazetarëve, si dhe denoncimi i vazhdueshëm i aferave në Shëndetësi dhe në Arsim.

Denoncimet në Shëndetësi

Përgjatë viteve 2013 dhe 2017, Vokshi ka qenë një ndër zërat më të fortë të opozitës që ka bërë denoncime të vazhdueshme lidhur me koncensionet abuzuese në Shëndetësi, duke nisur nga ai i Check Up-it të Vilma Nushit.

Në vitin 2017, Vokshi nxori një tabelë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, sipas të cilit kompania që kryen kontrollin shëndetësor falas ka marrë nga buxheti i shtetit 4 milionë euro në vitet 2015 dhe 2016 për rreth 250 mijë analiza të pakryera asnjëherë.

Sipas saj, kontrata parashikonte që kompania të marrë 7 milion euro në vit edhe nëse Check Up -i nuk kryhet nga askush.

Denoncimet në Shëndetësi kanë vijuar edhe pasi Beqaj u largua dhe në vend të tij u emërua ministrja Ogerta Manastirliu.

Ajo ka vazhduar me të tjera denoncime, duke dhënë prova për fiktivitetin e numrit të analizave.

Në janar të këtij viti, Vokshi do të denonconte se numri i analizave është rritur për të përfituar Vilma Nushi 116 mijë euro më shumë në vitin 2019 dhe i kërkonte SPAK-ut të niste hetimet. Ajo do të shprehej se koncesionari është paguar në mënyrë abuzive me 12.6 milionë euro për rreth “500 mijë analiza të pabëra asnjëherë.”

Vokshi ka denoncuar vazhdimisht abuzimet edhe lidhur me rimbursimin e trajtimeve mjekësore. Në vitin 2016, ajo do të deklaronte se janë bërë rreth 60 milionë lekë rimbursime për trajtime në vite të mëparshme të paparashikuara në vendimin e ministrisë së drejtuar nga Ilir Beqaj asokohe dhe se ka patur raste rimbursimi pacientësh që nuk jetojnë më.

Ajo ka denoncuar dhe koncensionet e sterilizimit, për dializën dhe laboratorët.

Mbështetje gazetarëve kundër ligjeve për median

Ndërkohë Vokshi ka qenë opozitarja më aktive përsa i përket luftës së opozitës kundër vendimeve të qeverisë lidhur me mediat dhe gazetarët.

Vokshi vazhdimisht i ka akuzuar dy projektligjet e qeverisë lidhur me ndryshimin e kompetencave të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, me qëllim regjistrimin e portaleve online dhe kontrollin e përmbajtjes së tyre, si abuzive dhe që kërcënonjnë lirinë e medias në vend. Ajo ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh dhe ka organizuar takime për të ndaluar përpjekjen e kryeministrit Edi Rama për të kaluar të ashtuquajtën “Paketë Antishpifje”, ndërsa ka marrë pjesë dhe në protestat e organizuara në këtë çështje.

Kauza e Teatrit

Një tjetër temë që Vokshi e ka përzemër është edhe çështja e Teatrit Kombëtar, kauzë të cilën e ka mbështetur që nga fillimi jo vetëm përmes postimeve në rrjetet sociale siç ka bërë shumica, por përmes propozimeve, organizimeve e madje edhe duke e mbrojtur fizikisht në protestë.

Disa herë Vokshi ka bërë denoncime lidhur me bashkëpunimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, me firmën Fusha Sh.p.k, për tenderin pa garë për Teatrin. Ajo ka akuzuar Veliajn dhe kryeministrin Rama se synon që në truallin e Teatrit të ndërtojë kulla.

Vokshi do shprehej se Veliaj po e përdor Fusha Sh.p.k-në si “kompani guackë për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit”.

Denoncimet në Arsim

Ndërkohë me nisjen e vitit të ri shkollor, Vokshi ka qenë e angazhuar me kushtet e zhvillimit të mësimit. Vokshi ka akuzuar qeverinë për mbylljen e shkollave dhe mosplotësimin e kushteve për zhvillimin e mësimit në kushtet e pandemisë.

Jo më larg se dje ajo denoncoi qeverinë se u ka vjedhur orët shtesë mësuesve. Në një deklaratë për mediat, Vokshi tregoi rastet se si mësuesit kanë punuar 20 apo më shumë orë shtesë, pa kushtet minimale, ndërkohë që paguhen vetëm për 5-6 orë.

Dhe ky nuk është interesimi i parë i Vokshit për problemet në arsim, pasi vazhdimisht ka qenë aktive në këtë drejtim. Në 2018-ën, Vokshi denoncoi me shifra braktisjen e shkollave nga të rinjtë. Ajo do të shprehej në Kuvend se në fund të mandatit të parë të qeverisë së Edi Ramës, rreth 133 mijë nxënës ose 1 në 6 nxënës kanë braktisur shkollat.

Aktivizimi non-stop në Tiranë

Mes të tjerash, Vokshi ka qenë e angazhuar edhe në zonën e saj në Tiranë ku shpesh herë ka organizuar takime me qytetarët për të dëgjuar shqetësimet e tyre.

Për shembull, Vokshi ka qenë ndër të parët që ka denoncuar mungesën e ujit të pijshëm në kryeqytet dhe mungesën e investimeve në Ujësjellësin e Tiranës. Vitin e shkuar, Vokshi tregoi me pamje problemin që kishin qytetarët në disa zona në Tiranë, me furnizimin me ujë të pijshëm, pjesa më e madhe e të cilëve rendnin pas autoboteve që siç u detyrua ta pranonte edhe Veliaj më pas, uji i tyre nuk këshillohej të konsumohej por vetëm për pastrim.

Përpos këtyre, Vokshi është kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas në PD dhe ka qenë kryesisht e fokusuar në emancimin e gruas në shoqëri dhe formimin e rolit të saj, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë dhe në Forumin e Grave të PPE-së.

Të gjitha këto, duket se kanë ndikuar që Vokshi të gëzojë respekt nga anëtarët e PD-së në kryeqytet, të cilët në votime treguan mbështetje më të madhe për të se sa për kandidatët e tjerë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *