Bill Gates thotë se presidenti Donald Trump gabon që e quan trajtimin e antitrupave monoklonalë një ‘kurë’ për COVID-19, por pranon se është terapia më premtuese për momentin.
“Fjala ‘kurë’ është e papërshtatshme sepse nuk do të funksionojë për të gjithë. Por nga të gjithë terapeutikët, ky është më premtuesi”– tha themeluesi i Microsoft-it për NBC.
Antitrupat monoklonalë imitojnë antitrupa që sistemi imunitar prodhon natyrshëm për të luftuar viruset dhe patogjenët e tjerë.
Fondacioni i Bill dhe Melinda Gates ka qenë aktiv në kërkimet për një kurë të koronavirusit.
“Ne kemi qenë duke punuar me kompanitë që bëjnë antitrupa. Ne rezervuam kapacitetin e fabrikës deri në pranverë dhe tani kemi partneritet me Eli Lilly, e cila me Regeneron, ka qenë më e shpejta për të bërë gati këto antitrupa” – shpjegoi Gates, citon Daily Mail.
“Ata mund të zvogëlojnë shkallën e vdekjes mjaft”, shtoi ai.
Javën e kaluar presidenti Donald Trump e quajti trajtimin me antitrupa si një kurë duke thënë se ai ndihej më mirë pasi i kishte marrë ato.
“Ata i quajnë ata terapeutikë, por për mua nuk ishte terapeutik. Unë e quaj këtë një kurë. Është një kurë.”– tha Trump të mërkurën.