Vendosni fjalën kyçe....

Veliu: Nga e enjtja të gjithë me maskë, të ndërpresim transmetimin e virusit të rrezikshëm


Drejtori i Përgjithshëm i policisë tha ditën e sotme se nga e enjtja çdo qytetar në vend është  detyruar të mbajë maskë kur del nga shtëpia.

Gjatë konferencës për mediat, Veliu, tha se kjo vjen si masë parandaluese për frenimin e përhapjes së Covid-19 duke shtuar se masa të ngjashme po merren nga shumë vende të tjera.

“Rastet e shtetasve të infektuar me COVID-19 kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave nga Shëndetësia. Një rritje e tillë e të infektuarve po vërehet edhe në shumë vende të botës. Disa prej këtyre shteteve kanë nisur marrjen e masave të forta për parandalimin e infeksionit. Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit.” – tha Veliu.

Ai shtoi se një masë e tillë bëhet për të shmangur rikthimin e karantinës në mbarë vendin siç u bë me shfaqjen e pandemisë në pranverë. Veliu theksoi se policia do mbikëqyrë respektimin e kësaj mase nga ana e qytetarëve.

“Së dyti, me marrjen e një mase të tillë, synojmë edhe të shmangim një mbyllje si ajo e pranverës së këtij viti. Për qytetarët është më e lehtë të mbajnë një maskë dhe të zbatojnë rregullat e distancimit social, sesa t’u nënshtrohen kushteve të rrepta të mbylljes. Policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e Shëndetësisë. Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës.” – shtoi Veliu.

Në fund drejtori i policisë tha se qëllimi i policisë nuk është ndëshkimi i qytetarëve por mbrojtja e jetës së tyre.

“Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre. Ndaj duke besuar se qytetarët do të jenë në krahun tonë, për t’i minimizuar efektet e pandemisë, bëj thirrje që të gjithë bashkë të tregojmë se vetëm duke respektuar rregullat mund të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të këtij virusi të rrezikshëm.” – mbyll deklaratën e tij Veliu.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *