Vendosni fjalën kyçe....

Aktivisti demokrat akuzon Filip Çakulin: Përdore një vajzë të Forumit për të goditur zgjedhjet në PD


Pas videos që ngrinte dyshime mbi procesin e votimit për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të PD-së, vjen një reagim i fortë nga një aktivist i kësaj force politike.

Bernard Banushi ka akuzuar drejtorin e “Fiks Fare” Filip Cakulin, duke thënë se ai ka rekrutuar një vajzë të re nga Forumi Rinor i PD-së, për të përlyer imazhin e procesit të votimit.

Sipas aktivistit demokrat, vajza që voton disa herë në videon e publikuar nga Fiksi, është anëtare e Forumit Rinor dhe është lejuar të votojë vetëm në dy degë nga 10 që ka tentuar, për shkak se vetëm aty është njohur nga drejtuesit e PD-së.

“Përzgjedhja e deputetëve dhe përfaqësuesve politikë nëpërmjet antarësisë e zhvilluar nga PD është pëlqyer kaq shumë nga shqiptarët saqë Rilindja nëpërmjet çakallit Filip kanë rekrutuar një antare të forumit rinor dhe e kanë përdorur atë për të bërë pis këtë proces model.

Kjo antare e forumit, rekrutuar nga Fiks Fare, ka tentuar të votojë në 10 degë por ka arritur ta bëjë vetëm në dy degë sepse vetëm aty ajo është njohur nga drejtuesit e partisë si antare forumi dhe e kanë lejuar atë të votojë.”– thotë Banushi.

Aktivisti shprehet se përgjatë gjithë këtij procesi në të gjithë vendin që PD ka nisur, kanë tentuar të bëjnë të tilla skema. Por sipas tij kanë mundur ta bëjnë vetëm në Tiranë, pasi aty është votuar “njëherësh në shumë degë”.

Më tej, Banushi thotë se votat e vajzës së re nuk kanë ndikuar në rezultat, pasi votimi është kontestues dhe jo afirmues.

Demokratët e Tiranës votuan këtë të shtunë për të konfirmuar apo eliminuar kandidatët për deputetë në Qarkun e Tiranës. Procesi i votimit u krye në 16 degë në Bashkinë Tiranë e njëkohësisht në Vorë, Kamëz, Kavajë, Paskuqan.

Sipas PD-së, nga 23,507 anëtarë me të drejtë vote, morën pjesë në 14,127 anëtarë, ose 60 % e tyre.

Mes kandidatëve, janë konfirmuar edhe prurje të reja si Vehap Kola, Julian Deda, Robert Budina dhe Basir Çollaku apo dhe Klodiana Shala./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *