Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka marrë përgjigje negative në testin për koronavirusin. Këtë e ka konfirmuar zyrtarisht mjeku i Shtëpisë së Bardhë, pak para fillimit të një tubimi në Sanford, Florida të hënën.
Ky reagim i mjekut vjen pas shumë teorive që qarkullonin në media dhe rrjete sociale, se Trump do organizonte tubime pa u konfirmuar zyrtarisht “negativ” nga mjeku.
“Presidenti ka dalë negativ në test në disa ditë rresht”– tha Dr. Sean Conley në një deklaratë të bërë publike në “Twitter” nga sekretarja Kayleigh McEnany.
Kjo nënkupton që testi i parë negativ i Trump-it ishte gjatë fundjavës.
“Testet e përsëritura negative të antigjenit, të marra në kontekst me të dhëna shtesë klinike dhe laboratorike, duke përfshirë ngarkesën virale, ARN subgenomike dhe matjet e ciklit PCR, si dhe vlerësimin e vazhdueshëm të datës së kulturës virale, të gjitha tregojnë mungesë të kopjimit viral të zbulueshëm”– tha Conley.
Trump e kishte deklaruar dhe vetë përmes një video-mesazhi se kishte rezultuar negativ, por mediet e majta ishin skeptike për shkak se nuk kishte ende një reagim zyrtar nga mjeku.
Të shtunën, Trump drejtoi një tubim nga ballkoni i Shtëpisë së Bardhë, me një distancë e konsiderueshme nga turma e mbledhur.
Mitingu i zhvilluar të hënë në mbrëmje në Sanford është tubimi i parë zyrtar i Trump-it, që kur ai u diagnostikua me Covid-19.
An update from President @realDonaldTrump’s physician: pic.twitter.com/XTxs2BjImt
— Kayleigh McEnany (@PressSec) October 12, 2020