Vendosni fjalën kyçe....

“Korrupsioni i shtrirë gjithandej” – Çfarë ka ndodhur me ambasadorin e BE-së në Tiranë


Ambasadori i BE-së në Tiranë, Soreca, ka thënë sot se korrupsioni në Shqipëri vijon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe është shqetësim serioz për vendet e BE-së.

Deklaratat e forta të zyrtarit që përfaqëson BE-në në Tiranë u bënë në konferencën e nivelit të lartë kundër korrupsionit ku merr pjesë edhe kryeministri Rama.

Vlen të theksohet se kjo është hera e vetme që Soreca dëgjohet të artikojë deklarata të tilla.

Që prej ardhjes së tij në Tiranë, duke zëvendësuar ambasadoren Vlahutin, ai nuk ka shprehur asnjëherë kritika të qarta lidhur me problematikat që në më shumë se një rast janë theksuar nga raportet e Komisionit Europian apo të vendeve të caktuara anëtare.

Korrupsioni është vetëm njëri nga më të lakuarit, por kritika ka pasur nga raportet europiane edhe lidhur me krimin e organizuar, trafikun e drogës, mungesën e Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë, reformën zgjedhore etj.

Po çfarë deklaroi Soreca gjatë takimit të sotëm.

“Korrupsioni vazhdon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe të jetë shqetësim serioz për shtetet anëtare e BE prandaj kjo luftë kërkon përpjekje të mëtejshme të strukturuara dhe dënime të formës së prerë për zyrtarë të nivelit të lartë që kanë qenë tejet të ulëta dhe ne e kemi thënë në raportet e mëparshme.” – tha ai.

Më tej ambasadori i BE-së shtoi se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe integrimin në BE-së. Ambasadori nënvizoi se drejtësia duhet të japë dënime për zyrtarë të nivelit të lartë duke theksuar se BE-ja pritshmëri të madhe nga SPAK-u.

“Në raportin vjetor të Komisionit është shprehur që Shqipëria ka një nivel të caktuar përgatitjeje për të qenë pjesë e BE-së. Kjo është gjuha jonë teknike për të thënë se  Shqipëria ka ende mjaft punë për të bërë. Rezultatet e vetingut janë kyçe në luftën kundër korrupsionit si dhe për të marrë sërish besimin e publikut në gjyqësor dhe organet e zbatimit të ligjit. Duhen dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë që qytetarët të kuptojnë se askush nuk është mbi ligjin. Prandaj kemi një pritshmëri të lartë nga SPAK për të rritur kapacitetet e hetimit dhe ndjekjes penale dhe për të ndjekur gjithçka deri në dënimin e formës së prerë.” – shtoi ambasadori.

Ajo që mbetet mister është fakti se çfarë e shtyu ambasadorin e BE-së në Tiranë që të bëjë deklarata të tilla të forta me zë e figurë.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *