Një njoftim i pazakontë u ka mbërritur dje gazetarëve nga Zyra e Shtypit e bashkisë së Tiranës.
Bëhet fjalë për një njoftim ku thuhet se kryebashkiaku Erion Veliaj, herët mëngjesin e së premtes u ka shkuar në shtëpi një çifti, të cilëve u ka dërguar një lopë.
Përpos faktit që bashkia u ka dërguar lajmin të gatshëm gazetarëve sëbashku me pamjet, bie në sy dhe gjuha e përdorur.
“Në orët e parë të mëngjesit të sotëm Klementi dhe e shoqja u habitën jo pak kur panë Veliajn që u solli një lopë” – shkruhet në tekstin që e trajton problemin sikur të ishte një temë showbizz-i.
Çifti të cilët në asnjë moment nuk përmenden me mbiemra, por vetëm me emrat e parë, gjithmonë sipas informacioneve të bashkisë, në fakt ishin detyruar të shisnin lopën e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit.
E përpos faktit që zyra e shtypit të bashkisë nuk e trajton çështjen me seriozitetin që meriton, duket se një pjesë e gazetarëve kanë bërë të njëjtën gjë. Shkrime pa fund për Veliajn dhe lopën, me tekstin e gatshëm të marrë copy-paste, në disa raste me ndonjë ndryshim tek-tuk në titull./Hashtag.al