Vendosni fjalën kyçe....

Porosia e Ambasadës Amerikane për ata që duan të aplikojnë për Lotarinë: Përfshini të gjithë familjarët


Në vetëm pak ditë pas hapjes së Lotarisë, Ambasada Amerikane në Tiranë ka sqaruar qytetarët që duan të bëhen pjesë për një tjetër rregull që duhet të kenë parasysh përpara se të aplikojnë.

Ambasada u sqaron aplikantëve se duhet të përfshijnë të gjithë personat që figurojnë në certifikatën familjare, edhe nëse ata nuk do të udhëtojnë me ta.

“Nëse po aplikoni për Lotarinë Amerikane 2022, ju duhet përfshini bashkëshortin/en dhe të gjithë fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç, edhe nëse ata nuk do të udhëtojnë me ju. Shihni udhëzimet e plota këtu: http://ow.ly/Afku50BFrr2

Vazhdoni të na ndiqni në Facebook, Twitter dhe instagram gjatë kësaj kohe, për të marrë këshilla mbi plotësimin e aplikimit tuaj.”– thuhet në njoftimin e ambasadës.

Aplikimet duhet të dorëzohen në rrugë elektronike në uebfaqen e Vizave të Shumëllojshmërisë Elektronike (E-DV) deri në afatin e lartpërmendur.

“Asnjë aplikim i vonë apo në letër nuk do të pranohet. Ligji lejon vetëm një aplikim për secilin person gjatë periudhës së regjistrimit. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për të zbuluar aplikimet e shumëfishta. Nëse paraqisni më shumë se një kërkesë, do të skualifikoheni.”, thekson Departamenti Amerikan i Shtetit në udhëzimin e detajuar për lotarinë.

Në këtë udhëzim thuhet se aplikanti kryesor duhet të ketë një arsim të shkollës së mesme, ekuivalentin e tij ose dy vjet përvojë pune të kualifikuar siç përcaktohet në dispozitat e ligjit të SHBA.

Nëse nuk keni as arsimin e kërkuar, ose përvojën e kualifikuar të punës, nuk keni të drejtë për një vizë diversiteti.

Si çdo vit tjetër, aplikimi është pa kurrfarë kostoje financiare dhe sugjerohet të kryhet nga vetë personi, pa ndërmjetës.

Regjistrimet për Programin e Lotarisë Amerikane 2022 do të jenë të hapura nga data 7 tetor, 2020, ora 18:00 (ora shqiptare) deri më 10 nëntor 2020, ora 18:00.

Aplikantët do të duhet të presin deri në pranverë për ta marrë vesh nëse janë shpallur ose jo fitues.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *