Vendosni fjalën kyçe....

Shirat përfshijnë vendin, përmbytje dhe vështirësi në qarkullim (FOTO)


Shiu ka pushtuar vendin që prej ditës së djeshme, ndërsa ka sjellë dhe përmbytje në disa zona në Durrës dhe në Librazhd. Disa rrugë janë përmbytur gjithashtu dhe në kryeqytet dhe në Vlorë.

Situata më problematike paraqitet në Durrës dhe në Elbasan. Mësohet se në qytetin bregdetar janë përmbytur disa nga rrugët kryesore, si rruga “Aleksandër Goga”, nga Spitali tek Muzeu i Dëshmorëve, lagjja numër 5, zona tek stadiumi dhe rrethrrotullimi i Stacionit të Trenit.

Për momentin nuk ka shira të mëdha, por në rast rrebeshi rrugët rrezikojnë të bëhen të pakalueshme sepse nuk funksionon rrjeti i kanalizimeve.

Në aksin Elbasan –Librazhd reshjet e shiut kanë sjellë sërish rënie gurësh duke vështirësuar qarkullimin. Ndërkaq një banesë në Gurabardh sipas televizionit “News 24” është përmbytur nga përroi i Zaranikës. Para mesnatës është bllokur rruga përkohësisht dhe tek “Kthesat Murrashit”.

Edhe në Tiranë mëngjesin e sotëm, shumë makina kanë pasur vështirësi në lëvizje dhe ndërkohë është krijuar shumë trafik.

Po kështu, edhe këmbësorët kanë vështirësi për të lëvizur.

Bashkia e Vlorës nga ana tjetër ka njoftuar qytetarët që të shmangin lëvizjet me makina që nuk i kanë të domosdoshme.

“Duke parë kushtet e motit në Vlorë, por edhe në të gjithë vendin, do ju luteshim të shmangni lëvizjet me makina që nuk janë të domosdoshme.

Për shkak të shirave të dendur, duhet të keni kujdes edhe me vendin e parkimit të makinave dhe të jeni të vëmendshëm për vendet që rrezikojnë të përmbyten! Paralajmërimet e meteorologëve për shira të vazhdueshëm, na bëjnë të jemi të kujdesshëm.”- thuhet në njoftimine  bashkisë.

E ngjashme është situata në qytetin e Fierit, ku reshjet kanë sjellë vështirësi në lëvizjen e automjeteve.

Ndërkohë në qarkun e Korçës ka probleme me energjinë elektrike. Për shkak të motit të keq është ndërprerë energjia në Pogradec, Maliq, fshati Zëmblak dhe Kolonjë. Por për fat të mirë këtu nuk raportohet për përmbytje./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *