Nikos Michaloliakos, udhëheqësi i partisë së ekstremit të djathtë të Greqisë, Agimi i Artë, është burgosur për 13 vjet pasi një gjykatë vendosi se organizata politike ishte një ndërmarrje kriminale e lidhur me një vrasje të profilit të lartë.
Disa anëtarë të tjerë të lartë të partisë, që është akuzuar për përkrahje të neo-nazizmit, morën dënime të ngjashme. Në një vendim historik të njoftuar javën e kaluar, një Gjykatë Apeli në Athinë gjeti se Michaloliakos dhe kolegët e tij ishin fajtorë për ‘udhëheqjen e një organizate kriminale’.
Gjyqi historik pesë-vjeçar shqyrtoi katër akuza të ndara penale që përfshinin vrasjen e reperit grek Pavlos Fyssas në 2013, sulme ndaj peshkatarëve emigrantë, sulme ndaj aktivistëve të së majtës dhe nëse Agimi i Artë ishte i përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Njëmbëdhjetë ish-ligjvënës që i përkisnin partisë së ekstremit të djathtë u burgosën nga pesë deri në shtatë vjet, ndërsa Giorgos Roupakias, anëtari i Agimit të Artë i shpallur fajtor për vrasjen e Fyassas, u dënua me burgim të përjetshëm.
Në total, më shumë se 50 të pandehur u dënuan për krime të ndryshme, duke përfshirë drejtimin e një ndërmarrjeje kriminale, vrasje, sulm dhe zotërim të paligjshëm të armëve.
Në kulmin e fuqisë së saj politike, Agimi i Artë ishte partia e tretë më e popullarizuar e Greqisë.