Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama midis tre ambasadorëve


Nga Fatos Lubonja

Është interesante të vihen re diferencat në qëndrime midis tre ambasadorëve, që u bënë garant për marrëveshjen e 5 qershorit, pas aprovimit nga Parlamenti të ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor.

Amerikania Kim ishte qartazi mbështetëse, edhe pse shtoi se do të kishte dashur që marrëveshja e 5 qershorit të ishte respektuar.

Ai i BE-së, Sorecca, i mëshoi pak më shumë kësaj pjesës së 5 qershorit, por nënvizoi hapat përpara që ka bërë Shqipëria.

I vetmi që shprehu zhgënjim pa ndonjë mbështetje për mosrespektimin e marrëveshjes ishte ambasadori britanik, Norman. Janë tri qëndrime që nuk mund të mos i shohim të palidhura me interesat e të tri palëve që përfaqësojnë ambasadorët.

SHBA-të nuk mund të mos jenë mirënjohëse për politikat e Ramës në përkrahje të administratës amerikane, së fundmi edhe për dhënien e Skavicës një firme amerikane shumë të përfolur në kohën kur kjo bashkëpunonte me qeverinë Berisha. (Pa harruar edhe rrethimin që i ka bërë mjeshtri i manipulimit Rama ambasadores për t’i paraqitur një vend normal që po përparon, ndryshe nga ç’thonë armiqtë e brendshëm të Shqipërisë).

Sorecca-s i duhet t’i mëshojë narrativës së tranzicionit të Shqipërisë drejt BE-së, që është edhe puna e tij sipas formulës: keni bërë hapa përpara, vazhdoni në këtë drejtim. Sidomos në këto kohë kur BE po sfidohet në rajon jo vetëm nga Turqia, Kina e Rusia, por edhe nga SHBA.

Britaniku, që nuk i ka këta interesa, duket se e sheh Shqipërinë më ftohtas, ndoshta edhe nën optikën e problemeve në rritje që ka krijuar në Britani krimi i organizuar shqiptar.

Gjithsesi, Edi Rama s’ka se si të mos jetë i kënaqur për këto qëndrime, sepse shqiptarët, të mësuar ta shohin vetveten nëpërmjet syrit të të huajve, në vend se të shihnin ndonjë qëndrim dënues për aktin e Ramës, morën mesazhin se ai vazhdon të ketë mbështetjen e tyre.

Në fakt, shkelja e marrëveshjes ishte konfirmimi i radhës se Rama po e fut vendin në një tunel antidemokratik gjithnjë e më të thellë, nga i cili zor se do të mund të dalim me rrugë normale. Problemi është se shumica e shqiptarëve, edhe në sajë të dekurajimit që përcjellin këta soj ambasadorësh, në vend që të revoltohen nga padrejtësia dhe gënjeshtra që tashmë ulëret, duket se i janë nënshtruar pritjes së këtij fataliteti. Një pjesë e madhe po bën valixhet gati për të ikur në rast të një fitoreje të tretë të Ramës. Të tjerë komentojnë se, ashtu sikurse është katandisur ky vend, nuk vlen më as të lëshosh hije në të e se s’ka opozitë ta kthejë dot më në rrugë të mbarë.

Në kontrast me këtë pesimizëm, që personalisht e shoh mbizotërues, spikat një lloj qetësie optimiste e PD-së, e cila shprehet se çfarëdo që të bëjë Rama, vota e 25 prillit do ta gjejë atë humbës. Duket se kjo qetësi e PD-së mbështetet mbi sondazhe dhe mbi një frymë pakënaqësie, që ndihet tashmë në ajër që e bën të besojë se lumi i votave kundër do të vërshojë aq furishëm, saqë nuk do të ketë digë e barrierë rilindëse që ta përmbajë. Sipas disa zërave, qetësia e Bashës vjen edhe nga fakti se këshilltarët e tij elektoralë të huaj i kanë sugjeruar se duhet të përqendrohet tek evidentimi i rënies ekonomike të vendit dhe te premtimi për të forcuar shtresën e mesme nëpërmjet uljes së taksimit të saj nga 23 % në 9%.

Shumë më i zëshëm është qëndrimi i Presidentit. Ai flet me tepër ashpërsi për akte të rënda, dramatike që po ndodhin, por në anën tjetër shprehet se ruan besimin se shqiptarët do t’ia tregojnë vendin Ramës nëpërmjet “referendumit” të 25 prillit.

Do të uroja të ndodhte kështu, por mbrapa optimizmit të opozitës ka ca “por”-e.

“Por”-i më i madh vjen nga fakti se tashmë është e qartë se Rama po bën gjithçka për të ruajtur pushtetin në një situatë ku kuptohet se ka humbur konsensusin e shumicës. Ndryshimi i njëanshëm i Kodit Zgjedhor duket qartazi se është tregues i masakrës elektorale që po përgatitet. Ndërkohë, as publiku dhe as opozita vetë nuk duket të jenë të qartë se me çfarë mjetesh do ta ndalojnë atë, pasi Rama ka në dorë të gjitha pushtetet, më shumë nga ç’i kishte në kohën kur opozita dilte nga Parlamenti, duke deklaruar se me Ramën nuk ka zgjedhje të lira. Pyetja është: cili do të jetë arbitri që do t’i bjerë bilbilit për faullet e Ramës gjatë lojës? Fakti që ambasadorët nuk i ranë bilbilit me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, heq shpresën se ata mund ta luajnë këtë rol siç shpresonte aq shumë opozita kur hyri në negociata.

Dikush mund të shtrojë pyetjen: po çfarë duhet të bëjë opozita në këto kushte, të mos shprehë optimizëm, apo të mos hyjë në zgjedhje?! Jo, por meqenëse nga të gjitha shenjat duket se shpresa e vetme është vërshimi i popullit të pakënaqur në kutitë e votimit, gjykoj se duhet të jetë më aktive për t’i motivuar njerëzit. Për këtë them se nuk duhet të mjaftohet me denoncime, premtime apo duke u dhënë një lloj optimizmi pasiv me kumtin se Rama ka mbaruar, por të ndërtojë një optimizëm aktiv nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të vërtetë me njerëzit, duke i bërë pjesë e politikës, të vetëdijshëm se pa ndihmën e angazhimin e tyre kjo e keqe vështirë se mund të luftohet.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e gazetës Panorama.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *