Vendosni fjalën kyçe....

Ilaçi eksperimental që “kuroi” Trumpin nga Covidi – Çfarë duhet të dini


Më 2 tetor, presidenti amerikan Donald Trump zbuloi në një postim në “Twitter” se ai dhe gruaja e tij Melania kishin rezultuar pozitivisht për koronavirusin dhe do të fillonin menjëherë trajtimin.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë tha se simptomat e presidentit ishin të lehta dhe se shtrimi në spital i presidentit ishte bërë si masë paraprake.

Pas një qëndrimi tre ditor në spital, Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, mjekët e tij mbajtën publikun të informuar në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore. Ata zbuluan protokollin e tij të trajtimit, dke përfshirë trajtimin me ilaçin anti-viral Remdesivir, një steroid të quajtur dexamethasone, si dhe zink, vitaminë D dhe melatoninë, si dhe një koktej eksperimental antitrupash nga Regeneron.

Përzierja e antitrupave, e njohur me emrin REGN-COV2, ka qenë duke iu nënshtruar testeve që nga qershori, dhe më 29 shtator Regeneron tha se kishte ulur ngarkesën virale tek pacientët me COVID-19 jo të shtruar në spital dhe se kishte lehtësuar simptomat e tyre.

Pse trajtimi i Trump ishte kaq i ndryshëm?

Duke mos qenë një pacient i zakonshëm, presidenti i Shteteve të Bashkuara mori një trajtim të jashtëzakonshëm. Në një konferencë për shtyp më 3 tetor, mjeku i tij Dr.Sean Conley tha për Trump: “Ai po merr të gjithë standardin e kujdesit dhe më tej për protokollet rutinë, ndërkombëtare të COVID.”

Ai vazhdoi duke thënë: “ai është presidenti. Nuk doja të mbaja asgjë. Nëse do të kishte ndonjë shans që kjo t’i shtonte vlerë kujdesit të tij dhe të shpejtonte kthimin e tij, unë doja ta merrja atë. “

Vendimi për të përdorur një koktej eksperimental të antitrupave të pa aprovuar nga FDA-ja ishte një përpjekje për të përshpejtuar shërimin e tij sa më shumë që të ishte e mundur, duke qenë se kanë mbetur pak javë para zgjedhjeve.

Plus, duke qenë presidenti më i vjetër i zgjedhur në historinë e SHBA-ve, Trump në moshën 74-vjeç është në një rrezik më të lartë të sëmundjes së rëndë sesa të rinjtë, sipas CDC-së. Kjo mund të ketë hedhur shkallën në favor të ndërhyrjes së hershme. Profesionistë të ndryshëm shëndetësorë kanë shprehur shqetësime në lidhje me qasjen agresive në trajtimin e presidentit pasi disa nga terapitë e përdorura nuk kanë dhënë prova të efikasitetit dhe sigurisë dhe ka pak njohuri se si ato mund të funksionojnë të kombinuara.

REGN-COV2 për Trumpin

Sipas një memoje nga Dr. Conley, presidenti Trump mori një dozë prej tetë gramësh të REGN-COV2. Ilaçi përdor antitrupa monoklonalë – versione sintetike të antitrupave që shfaqen natyrshëm kur pacientët shërohen nga sëmundja. Koncepti i trajtimit është i ngjashëm me plazmën e rikuperimit. Por, në vend që të jetë një produkt i rrjedhur nga gjaku, REGN-COV2 është një koktej i dy antitrupave të klonuar: njëri që imiton atë të një pacienti të rikuperuar nga COVID-19, dhe një që vjen nga një mi i modifikuar gjenetikisht.

Eksperimenti është shumë premtues, por vetëm provat klinike do të përcaktojnë nëse ilaçi funksionon. Ky nuk është i vetmi trajtim i antitrupave për COVID-19 në proces: të paktën një tjetër po zhvillohet nga kompania farmaceutike Eli Lilly. Trajtimet me antitrupa gjithashtu kanë dhënë shpresë kundër viruseve të tjerë, si Ebola.

Në muajin korrik, Regeneron mori 450 milion dollarë nga Operacioni Warp Speed, për të shpejtuar zhvillimin e vaksinave kundër COVID-19, me qëllim prodhimin e mijëra dozave të ilaçit. Në një video të shkurtër kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Trump e shpalli ilaçin si “kurë”.


Trump do të shprehej: “… është një kurë. Për mua, kur hyra brenda nuk ndihesha mirë. Pas një kohe të shkurtër 24 orë, unë u ndjeva mirë… Unë dua që të gjithëve t’i jepet i njëjti trajtim si presidentit tuaj, sepse ndihem mirë… Unë dua të marr për ju atë që kam marrë unë dhe do ta bëj falas.”

Menjëherë pas miratimit nga presidenti, Regeneron paraqiti një kërkesë në Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SH.B.A.-së për miratimin emergjent për trajtimin e koronavirusit dhe stoku i kompanisë u rrit me 3.73%.

Si doli i pastër presidenti pasi provoi një ilaç eksperimental?

Shumë pak njerëzve deri më tani u është dhënë qasje në ilaçe. Në videon e tij, Trump thotë: “Kam dëgjuar për këtë ilaç, e kërkova, ishte ideja ime”.

Por më vonë, CEO-ja i Regeneron-it Leonard Schleifer i tha “The New York Times” se mjekët e presidentit Trump i kishin kërkuar leje kompanisë për të përdorur ilaçin.

“E tëra që mund të themi është se ata kërkuan ta përdornin atë, dhe ne ishim të lumtur ta jepnim”– tha ai në intervistë.

Megjithëse e pa aprovuar nga FDA-ja, trajtimet eksperimentale si ky nganjëherë mund të arrihen përmes protokollit të rezervuar për pacientët që u kanë shteruar të gjitha opsionet e trajtimit dhe ilaçi është shansi i tyre i vetëm.

Por megjithëse gjendja e Trump u përshkrua si e lehtë, atij iu dha aksesi në REGN-COV2. Në të njëjtën kohë, disa burime vunë në dukje se Leonard Schleifer i Regeneron-it ka qenë një i njohur prej kohësh i presidentit dhe shpesh luanin golf në klubin e tij nw Westchester dhe se në një moment Trump ka patur aksione të Regeneron.

A është një kurë?

Në letrën e tij të 10 tetorit, Dr.Conley raportoi se presidenti Trump kishte qenë pa simptoma për më shumë se 24 orë dhe se niveli i tij i ngopjes me oksigjen ishte normal. Në memo thuhej gjithashtu se Trump nuk rrezikonte më përhapjen e virusit. Nëse presidenti Trump vërtet është rikuperuar, është e vështirë të veçosh se cili ilaç ishte i dobishëm në shërimin e tij pasi pacienti VIP u trajtua me një grup ilaçesh të forta.

Në një nga komunikimet e tij të mëparshme, Dr.Conley tha se testi i gjakut i marrë që nga e hëna e 5 tetorit, tregoi se Trump kishte antitrupa të koronavirusit. Sidoqoftë, disa ekspertë nxituan të theksonin se Trump kohët e fundit kishte marrë një dozë të madhe të Regeneron, i cili përmban antitrupa të tillë. Regeneron nga ana tjetër, tha se lloji i testit të gjakut në fjalë nuk do të ishte në gjendje të bënte dallimin midis antitrupave të Trump dhe atyre që vijnë nga ilaçi i kompanisë.

Vetë CEO-ja i Regeneron-it paralajmëroi kundër optimizmit të tepruar në lidhje me ilaçin. “Pra, rasti i presidentit është një rast i vetëm, dhe kjo është ajo që ne e quajmë një raport rasti, dhe është provë e asaj që po ndodh, por është prova më e dobët”, tha Schleifer në intervistën e tij me CBS-në.

Derisa të publikohen prova më gjithëpërfshirëse klinike me kohën e qëndrimit në spital dhe të dhënat e vdekshmërisë, është e pamundur të thuash nëse kokteji me antitrupa i Regeneron-it është me të vërtetë “kurë” për COVID-19. Tani për tani, mbani mend se shumë ilaçe eksperimentale provojnë të jenë të rrezikshëm ose të padobishëm dhe përfundimisht nuk miratohen. Rastësisht, kjo është ajo që i ndodhi hidroksiklorokinës që Trump e vlerësonte si ilaç dhe thuhet se e mori dhe vetë si një masë parandaluese.

Studimet treguan se ilaçi është i paefektshëm ndaj COVID-19 dhe mund të jetë i rrezikshëm, gjë që çoi në heqjen e autorizimit të përdorimit emergjent nga FDA-ja. 

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e RT / Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *