Katër personave në Dibër, Mat e Tiranë u ka shkuar formulari i vetëdeklarimit të pasurisë.
Personat në fjalë janë dënuar më herët për vrasje e vjedhje me armë e sipas policisë ka dyshime se e kanë vënë pasurinë në mënyrë të paligjshme.
Bëhet fjalë për Besnik Lamçen, banues në Tiranë, Qemal Kaçin, banues në Burrel, Ermal Lila (Reçi), banues në Peshkopi e Vehap Shehu, banues në Fushë Bulqizë, Dibër.
Njoftimi
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
B.L., banues në Tiranë, i dënuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja me armë”;
Q.K., banues në Burrel, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
E.L. (R.), banues në Peshkopi, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (vrasja e funksionarëve publikë);
V.Sh., banues në Fushë Bulqizë, Dibër, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.