Naftëtarët e Ballshit janë futur në ditën e 17 të grevës së urisë dhe ditën e sotme janë futur brenda rrethimit të rafinerisë së naftës.
Naftëtarët i janë drejtuar ndërtesës ku qëndron administrata, ndërsa forcat e sigurisë janë vendosur tek dera e saj.
Sipas kreut të Sindikatës, Sokol Dautaj, kjo i nxori zbuluar të gjithë, pasi nuk kishte asnjë punonjës të administratës dhe gjithashtu pronari i kompanisë “Allum” kishte ikur.
“”Këta kanë marrë një urdhër, për të mos i nxjerrë zbuluar, këtu nuk ka privat. Kjo nuk është një protestë e dhunshme, ne jemi këtu për t’u treguar shumë qartë që ky ka qenë një shoë i radhës, nuk ka pronar. Tani nuk ka asnjë zyrë, dera është kycur, prej një viti ka heshtje, ai që thotë jam pronar, ne kemi dëgjuar që ka ikur ‘Allum’. Kjo i nxjerr zbuluar që këtu nuk ka njeri. Nuk e mbajnë dot këta rafinerinë”, tha Dautaj.
Kujtojmë se më 3 shtator naftëtarët nënshkruan kontratat që rrjedhimisht kjo do të sillte edhe rikthimin e tyre në punë, por kjo nuk ndodhi.
Përpos kësaj, naftëtarët e Ballshit janë prej 9 muajsh pa punë dhe pa asistencë sociale ndërsa kanë dhe mbi 20 paga të pamarra.
10 prej tyre po qëndrojnë në grevë urie prej 17 ditësh, duke rrezikuar edhe jetën.