Twitter ka pezulluar një numër llogarish të rreme që pretendojnë të jenë në pronësi të mbështetësve me ngjyrë të presidentit amerikan Donald Trump.
Gjiganti i mediave sociale tha që këto llogari kanë thyer rregullat e saj, duke manipuluar përdoruesit.
Shumë prej llogarive përdornin gjuhë identike, duke përfshirë frazën: “PO JAM ME NGJYRË DHE DO VOTOJ PËR TRUMP”.
Megjithatë Twitter-i nuk ka specifikuar një numër për llogaritë e pezulluara deri më tani ose burimin e tyre, shkruan BBC.
Rrjeti social tha se po vazhdonte të hetonte aktivitetin dhe mund të pezullonte përsëri llogari të tjera nëse zbulohej se po shkelnin politikat e saj.
Hetimi u raportua së pari nga gazeta Washington Post.
Darren Linvill, një studiues i dezinformimit të mediave sociale në Universitetin Clemson, gjeti më shumë se 20 llogari të tilla, të cilat kishin gjeneruar rreth 265,000 rishpërndarje ose përmendje në Twitter.
Disa nga llogaritë përdornin foto të burrave me ngjyrë që ishin shfaqur në artikuj të lajmeve. Disa kishin dhjetëra mijëra ndjekës.
Linvill i tha agjencisë së lajmeve Reuters se shumica e llogarive ishin krijuar në 2017-ën, por ishin bërë më aktive në dy muajt e fundit.
Ai tha se të gjitha llogaritë që ai kishte monitoruar tani ishin pezulluar, por ato e kishin bërë tashmë “ndikimin e tyre”.
Twitter thotë se e ndalon përdorimin e platformës “për të shpërndarë artificialisht informacionin ose për t’u përfshirë në sjellje që manipulojnë ose prishin përvojën e njerëzve”.