Pesë persona janë arrestuar në flagrancë nga policia. Sipas bluve tre prej tyre ishin shpallur në kërkim ndërsa akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Në pranga kanë përfunduar një 26-vjeçar nga Maroku që akuzohet për vjedhjen e një celulari.
Po kështu janë ndaluar edhe katër shtetas shqiptarë me dy prej të cilëve për shkak drejtimi të makinës në mënyrë të parregullt ndërsa dy të tjerë me akuzën për vjedhje e armëmbajtje pa leje.
Njoftimi
Arrestohen në flagrancë 5 shtetas, tre prej të cilëve ishin të shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit maroken A. S., 26 vjeç, pasi, tek Bulevardi i Ri, në ambientet e një picerie, i ka vjedhur telefonin shtetasit S. H. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet telefoni i vjedhur dhe 2 mjete prerëse (thika), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:
-V. M., 23 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”.
-A. Sh., 29 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në ”Arrest në burg”, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit V. L., 33 vjeç, i cili, me vendimin penal të Gjykatës së Shkallë së Parë Tiranë dhe vendimin penal të Gjykatës Apelit Tiranë, është dënuar me 40 ditë burg, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. M., 18 vjeç, pasi në rrugën “Maria Kraja”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.