Ka hyrë në fuqi Akti Normativ për masat e reja anticovid. Nga sot është bërë e detyrueshme mbajtja e maskave në të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme, jashtë shtëpisë.
Akti mban firmën e kryeministrit Edi Rama, si dhe e dy ministrave Sandër Lleshaj (i Brendshëm) dhe Ogerta Manastirliu (e Shëndetësisë).
Në këtë Akt parashikohet se në rast shkeljeje të rregullit, qytetarët do të gjobiten me 3 mijë lekë, ndërsa në rast përsëritjeje gjoba shkon në 5 mijë lekë.
“Të drejtën e dhënies së masës administrative për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake sipas modelit të gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i kundravajtjes administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike. Mënyra e ekzekutimit të kundravajtjes administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrisë përgjegjëse për energjinë, ministrisë përgjegjëse për financat dhe ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë”,– theksohet në vendimin e qeverisë.
Ditën e djeshme, Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se përdorimi i maskave duhet të konsiderohet vetëm si një masë plotësuese dhe jo si zëvendësim i masave parandaluese. Ajo duhet të zbatohet së bashku me distancën fizike 1.5-2 m dhe higjienën e duarve.