Vendosni fjalën kyçe....

Manipulimi i zgjedhjeve në Kirgizstan, pas kryeministrit dorëhiqet edhe presidenti


Presidenti i Kirgizstanit, Sooronbay Jeenbekov, dha dorëheqjen pas disa ditësh trazira, tha të enjten zyra për shtyp e tij. Jeenbekov tha se ai vlerësonte paqen në Kirgizstan, integritetin e vendit, unitetin e njerëzve dhe qetësinë e popullit mbi të gjitha.

Dorëheqja e tij vjen ndërsa trazirat pas zgjedhjeve parlamentare të 4 tetorit, vazhdojnë.

“Nuk ka asgjë më të çmuar për mua sesa jeta e secilit prej qytetarëve të mi. Unë nuk dua të hyj në historinë e Kirgizstanit si një president i cili derdhi gjak dhe qëlloi mbi qytetarët e tij. Kështu, unë kam marrë vendimin për të dhënë dorëheqjen.” – tha ai në një deklaratë.

Më herët, Jeenbekov kishte thënë se do të largohej vetëm pasi të mbaheshin zgjedhjet e reja parlamentare dhe të njoftoheshin ato presidenciale.

Trazirat çuan më herët në dorëheqjet e Kryeministrit Kubatbek Boronov dhe Kreut të Parlamentit, Dastan Jumabekov, në 6 tetor.

Protestat në vendin e Azisë Qendrore shpërthyen në fillim të këtij muaji, me demonstruesit që hynë në parlament dhe ndërtesa të tjera, duke u përplasur me policinë dhe duke kërkuar zgjedhje të reja parlamentare.

Mbështetësit e tetë partive që morën nën 7% të votave, njoftuan mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve, duke pretenduar se procesi nuk ishte i drejtë.

Si përgjigje, autoriteti zgjedhor i vendit anuloi rezultatet e votimit të 4 tetorit, në të cilin vetëm katër nga 16 partitë kishin arritur të kalonin pragun prej 7% për të hyrë në parlament.

Përleshjet midis protestuesve dhe forcave të sigurisë lanë një person të vdekur dhe 590 të tjerë të plagosur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *