Presidenti i vendit Ilir Meta, ka pritur sot në një takim ndihmës Sekretaren e Departamentit Amerikan të Shtetit për Arsimin dhe Kulturën, Maria Royce.
Meta ka publikuar një foto ndërsa shprehet se në këtë takim vlerësoi rëndësinë që ka vizita e zonjës Royce për të konsoliduar e forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e arsimit dhe të kulturës.
“Duhet të synojmë, që sa më shumë studentë shqiptarë të arsimohen e edukohen në SHBA, por njëkohësisht, edhe krijimin e kushteve që ata të kthehen në vendin e tyre, për t’u bërë liderët e ardhshëm të tij. Bashkëpunimi në fushat e arsimit dhe të kulturës ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA do t’i shërbejë së ardhmes të vendit tonë dhe do të promovojë mirëkuptimin ndërkulturor, si një mundësi reale për të afruar më shumë popujt tanë”– shkruan Meta.
Ndihmës Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit për Arsimin dhe Kulturën zhvilloi më herët dhe një takim me kryeministrin Rama. Tre ditë do të zgjasë qëndrimi i saj në Shqipëri.