Presidenti Ilir Meta ngre shqetësimin e kultivimit të kanabisit, ndërkohë që afrojnë zgjedhjet që presidenti i ka caktuar me 25 prill.
Sipas Metës, kultivimi i kanabisit po përdoret si mjet përfitimi nga grupet kriminale që marrin më pas kontrollin elektoral të qarqeve.
“Shpërthimi i kanabisit në vit zgjedhor është traditë e njohur tashmë për t’u përdorur si mjet përfitimi për grupet kriminale që marrin përsipër kontrollin elektoral të qarqeve të caktuara por edhe si mjet shantazhi ndaj shumë hallexhinjve që në mungesë të mbështetjes shtetërore për aktivitetet bujqësore, blegtorale, të agrobiznesit dhe agroturizmit janë të detyruar të bëhen punëtorë të këtyre grupeve kriminale.
Bosët e vërtetë kurrë nuk preken por shpesh për të prodhuar statistika fiktive, arrestohen gra dhe burra të moshuar si grup i strukturuar kriminal.”– shkruan Meta.
Në javët e fundit ka patur mjaft denoncime për kultivimin e kanabisit në media dhe rrjetet sociale, por Policia e Shtetit i ka hedhur poshtë, duke deklaruar se viti 2020 është një “vit i thellimit të suksesit” në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Po ashtu kritikonte mediet se po ngrenë një alarm të pajustifikuar për kultivimin e kanabisit në vend dhe se po përhapin në mënyrë masive pamje filmike të viteve të kaluara.