Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka sulmuar presidentin Ilir Meta lidhur me gjuhën e përdorur nga ai ndaj saj.
Spiropali po fliste në foltore për ndryshimet dhe shtesa në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi ku merr si shembull përplasjet e saj me Presidentin Meta.
”Shtesat në këtë ligj janë detyrim që na lind edhe me partnerët tanë. Sjell nevojë për ndryshime në këtë ligj. Nazistët dhe fashistët nuk i vranë me armë dhe me thika hebrenjtë, por me gjuhën e urrejtjes. Më pas gjuha e urrejtjes dhe urrejta bëri eliminimin fizik. Gjuha mund të duket e largët, por parimet janë njësoj. Duke iu përmbajtur parimimit, ka dhe një kontradiktë në institucionet më të larta të shtetit për diskriminimin gjinor apo grupeve vulnerabël.
Një gjuhë ndaj diskriminimit gjinor, e gjen nga Presidenti i Shtetit. Unë jam një ministre, grua, nënë që jam përballur me atë që luan rolin e institucionit të Presidentit. Jo vetëm zëdhënësi, grupi afër tij apo partia që ka degraduar, por vetë Presidenti përdor gjuhë urrejtje. Nuk është puna për mua, dhe di të mbrohem, nuk më heshtin dhe intimidojnë. Është puna e shembullit që jep Presidenti për gratë, vajzat dhe qytetarët që duan të kenë institucione të rregullta, që mos përdorin gjuhë misogjene, seksiste diskriminuese. Si ka mundësi të bjerë në nivele të tilla jo vetëm komunikimi i Presidentit, por institucionit, jo vetëm Ilir Metës por edhe zëdhënësve. Në ’99 jam larguar nga Shqipëria kur Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së vidhnin votat në FRESSH dhe PS, unë jam larguar me bursë të plotë nga Shqipëria, dhe jo me paratë e babait në Londër. Duhet theksuar, se s’mund të guxojë një njeri që ka marrë peng gjithë vendin, jo vetëm Presidencën. Të lexojë konventat, bashkë me ata që kanë dalë mendsh. E kanë nga dëshmërimi. Ne do luftojmë, po luftojmë dhe do luftojmë për një Shqipëri europiane, reformën në drejtësi, që qytetarët të kenë të drejta të barabarta. Do luftojmë për trashëgiminë kulturore dhe historike. Nuk na mposhtin dot. Qytetarët që na votojnë nuk janë mesjetarë.”– tha Spiropali.
Kujtojmë se presidenti Meta një javë më parë, e quajti kryeministrin Edi Rama “spiropalist ordiner”, duke iu referuar deklaratave të Spiropalit se Rama është ‘Skënderbeu’ i ditëve të sotme për shqiptarët.
Spiropali nga ana tjetër e ka sulmuar disa herë Metën lidhur me dekoratat. Ajo do të shprehej se Meta duket sot si ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ që po jep dekorata për të vdekurit për të marrë vota me kocka.