Vendosni fjalën kyçe....

Atentati ndaj shefit të policisë bashkiake, zbardhet dëshmia e 19-vjeçarit: E bëra pa paramendim, isha i dehur


Zbulohet dëshmia e 19-vjeçarit Ilirjan Hasanaj, i cili dyshohet për atentatin ndaj shefit të policisë bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj.

I riu ka thënë përpara policisë se e ka qëlluar shefin e policisë në mënyrë të pavetëdijshme dhe nën efektin e alkoolit. Sipas zbardhjes së dëshmisë së tij nga gazeta Panorama, 19-vjeçari ka thënë se e ka qëlluar Mentor Hasanajn për një problem të vjetër pronësie. Krejt ndryshe nga babai i tij që thoshte se nuk ishte asnjë konflikt me shefin e policisë bashkiake të Malësisë së Madhe.

 “Unë e kam qëlluar shtetasin Mentor Hasanaj, por e kam bërë pa paramendim. Nuk kam qenë i parapërgatitur për një gjë të tillë. Thjesht e kam parë duke kaluar në rruge dhe i jam venë mbrapa. Armën e kam patur me vetë sepse ka pasur disa kohë që e kisha dhe nuk është se e kam marrë atë ditë. I jam venë mbrapa dhe e kam qëlluar por në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit. Thjesht e kam parë rastësisht teksa kalonte me makine dhe e kam ndjekur në atë moment. Arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie tonën. Është një konflikt i vjetër pronësie mes nesh dhe unë kete histori e kam dëgjuar nga babai dhe kur e kam parë në atë moment duke qenë edhe i alkoolizuar e kam ndjekur dhe e kam qëlluar por nuk kam pasur një plan të përgatitur. Duke qene drejtor me erdhi në mendje se mund te na pengonte tek pronësia, por çdo gjë ka qene ne atë moment”, ka rrëfyer 19-vjeçari.

Ndërkohë ai ka përjashtuar përfshirjen e kushëririt në këtë histori. Verzen Bajrakurti, u vetëdorëzua në polici pasi u shpall i dyshuar si bashkëpunëtor i Hasanajt në plagosjen e dyfishtë të Mentor Hasanajt dhe babait të tij Xhelal Hasanaj.

 19-vjeçari thotë se kushëriri e ka marrë pa ditur se çfarë ai kishte bërë. Ai shprehet i penduar për ngjarjen.

 “Ndërsa kushëriri im nuk ka patur asnjë ide se çfarë kam bere unë, por thjesht e kam thirrur duke i thëne qe te me merrte sepse kisha nevoje por pa i treguar arsyen. Ai nuk ka qene aspak ne dijeni te plagosjes. Unë jam penduar maksimalisht për çfarë kam bere dhe për ketë fakt edhe jam vetdorëzuar ne polici. Fillimisht kam qene i tronditur dhe kisha frike, por tani e kam kuptuar dhe jam shume i penduar ndaj kam ardhur qe ta pranoj çfarë kam bërë”, ka thënë Ilirjan Hasanaj.

Prej ditësh, 19-vjeçari, Ilirijan Hasanaj qëndronte në arrati, ndërkohë vetë babai i tij në një deklaratë para disa ditësh premtoi se do negocionte që djali i tij të dorëzohej.

Ilirjan Hasanaj akuzohet për plagosjen e Mentor dhe Xhelal Hasanaj, ndërkohë që në makinë bashkë me ta udhëtonte dhe gruaja e policit, Vjollca Hasanaj, e cila fatmirësisht nuk u prek nga plumbat. Kujtojmë se Arben Hasanaj, babai i 19-vjeçarit i bëri thirrje publikisht të birit që të dorëzohej në polici.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *