Biznesmeni A.DH. i cili prej disa muaj është në një konflikt të hapur me ish-politikanin dhe drejtorin e Top Channel, Ben Blushi, është sulmuar dje në mbrëmje nga maskat në hyrjen e pallatit ku banon.
Burime nga Policia e Tiranës i thanë CNA.al se ngjarja ka ndodhur dje (të enjten) në mbrëmje rreth orës 22.00, në një nga pallatet pranë Stadiumit “Selman Stermasi”, në kryeqytet.
Biznesmeni A.DH. ka qenë në hyrjen e pallatit ku banon dhe dy persona me maska dhe të armatosur kanë tentuar t’i afrohen, por ka qenë roja i objektit i cili ka bërtitur. Sipas pamjeve që policia i ka në dispoizicion, shpëtimi i biznesmenit ka qenë vetëm një moment, largësia që ka pasur biznesmeni nga agresorët. Ai ka hyrë në ashensor dhe është larguar. Personat me maska dhe armë në dorë nuk kanë mundur të qëllojnë pasi ashensori është mbyllur dhe biznesmeni është larguar, raporton cna.al. Ky mesa duket ka qenë edhe shpëtimi i tij, pas një sulmi të mundshëm që duket mjaft qartë nga pamjet filmike. Personat e ndjekin nga pas për të gjetur momentin për ta qëlluar.
Policia po zhvillon hetimet për këtë ngjarje e cila ka tronditur banorët e pallatit ku jeton biznesmeni A.DH., objekt ky i ndërtuar vitet e fundit dhe që e ka futur në konflikt me Ben Blushin dhe familjarët e tij.
Biznesmeni prej disa kohësh ndodhet në konflikte gjyqësore dhe përplasje me drejtorin e Top Channel Ben Blushi. Një letër e gjatë drejtuar ambasadës së SHBA-ve ka zbuluar prona të përfituara nga Blushi dhe familjarët e tij, disa prej tyre shitur me vlera qesharake. Gjithashtu Ben Blushi, është akuzuar se nuk ka paguar mbi 50 mijë euro karburant, por dhe ka marrë 100 mijë euro në emër të vëllait të tij, pa folur për pjesë pasurie miliona dollarë të një pallati ndërtuar në kryeqytet i cili është vendosur në emër të ish-vjehrit të Ben Blushit.
Rasti i biznesmenit A.Dh. nuk është i pari. Disa muaj më parë një nga ish-drejtorët e Top Media u sulmua dhe u godit me mjete të forta nga persona të maskuar poshtë shtëpisë së tij.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al