Belgjika ka marrë vendim të premten që të mbyllen të gjitha kafiteritë dhe restorantet për katër javët e ardhshme si dhe të vendosë orë policore, teksa tenton të luftojë rritjen e shpejtë të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Kryeministri belg, Alexander De Croo, ka bërë të ditura këto masa, të cilat do të nisin së zbatuari nga dita e hënë, pas takimit me ekipin për kriza të Qeverisë belge, duke paralajmëruar se sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, është duke u rritur në mënyrë “eksponenciale”.
Me më shumë se 10,300 vdekje nga popullësia me 11.5 milionë banorë, Belgjika është një prej vendeve të prekura së më keqi nga ky virus në Evropë.
“Javë pas jave, të dhënat janë duke u dyfishuar, është një rritje eksponenciale”, ka thënë De Croo në një konferencë në media.
Rajoni i qytetit të Brukselit ka urdhëruar baret dhe kafiteritë që të mbyllen javën e kaluar, mirëpo njoftimi i së premtes zgjeron masën në gjithë vendin.
Kufizimet e reja përfshijnë edhe orën policore nga mesnata deri në 5 të mëngjesit – me qëllim të parandalimit të njerëzve që të organizojnë ndenja nëpër shtëpi, si dhe ndalim të shitjes së alkoolit pas orës 20:00.
Puna nga shtëpitë duhet të “bëhet norma e re” ka thënë De Croo, derisa teatrot dhe kinematë janë të lejuara të qëndrojnë të hapura, duke respektuar distancën fizike.
Autoritetet shëndetësore belge kanë regjistruar 191,959 persona të infektuar me koronavirus, prej kur ka shpërthyer pandemia atje.
Prej tyre 10,327 pacientë kanë vdekur.