Gratë naftëtare të Ballshit sot kanë hyrë në ditën e 3 të grevës së urisë. Ato shprehen të revoltuara se nuk kanë marrë përgjigjen që meritojnë.
Ndërkohë, kreu i Sindikatës së Naftëtarëve Sokol Dautaj tha në një dekaratë për mediat se prej 2 javësh janë kontaktuar nga një grup avokatësh të huaj, të cilët i kanë dërguar një letër kryeministrit dhe presidentit të vendit.
“Prej mëse 2 javësh jemi kontaktuar nga një grup avokatësh, të cilët mbrojnë të drejtat e punëtorëve në të gjithë botën. I kanë dërguar letër kërkese Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës, për zbatimin e vendimeve ligjore që i janë mohuar naftëtarëve. Autoritetet tona janë të detyruara të përgjigjen pasi automatikisht kalojnë në shkelje të të drejtave të njeriut dhe të punëtorëve. Kjo letër na është dorëzuar edhe ne, dhe shpresojmë që së shpejti të merret një vendim”, tha Dautaj.
Gratë naftëtare, ndonëse pjesa më e madhe e tyre nuk gëzojnë një shëndet të mirë, shprehen të vendosura për ta çuar grevën deri në fund.
Ato shprehen se kërkojnë djersën e tyre.
“Nuk do të tërhiqemi derisa të marrim lekët tona, atë që na takon djersin dhe gjaku tonë që na i mbajtën, nuk kemi ku të shkojmë pa lekë, kemi fëmijët familjarët për të ushqyer. Familjarët solidarizohen me ne sepse për të njëjtin hall jemi”, tha një naftëtare.
“Shumë shumë shumë keq, kemi 3 ditë sot, dhe unë si person familja ime nuk di gjë. As telefon s’kam se ata janë larg. Kërkoj djersën time dhe mundin tim, unë kam mbetur pa buke dhe fëmijët, dhe jemi shumë keq. U lutem atyre që janë larg, se nuk na kanë dhënë asnjë reagim. Deri në vdekje, sa të marrim gjakun tonë. Kërkojmë gjakun tonë dhe mundin tonë që kemi derdhur në uzinë në helm në acid, këto muajt e fundit na kanë hapur vatrat e acidit që u helmuam”, shtoi një tjetër grua.